Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në fuqi dënimin e shkallës së parë për kunatin dhe shoferin e Rezart Taçit


Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Artur Ballën dhe Bledar Lilon, përkatësisht kunatin dhe shoferin e Rezart Tacit.

Ata janë dënuar përkatësisht, Artur Balla me 11 vite burg, ndërsa Bledar Lilo me 10 vite. Ata u dënuan për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Në të njëjtin vendim u pranua kërkesa e SPAK për konfiskimin e 18.3 milionë eurove, shuma e sekuestruar gjatë hetimit, që dyshohet se do të pastrohej, raporton A2 CNN

Konkluzionet e hetimeve

Referuar hetimit shqiptaro-italian, në qershor të vitit 2021, sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella kanë mbërritur në Shqipëri, ku janë pritur nga Balla e Lilo, kontakte të afërta të Taçit.

Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme. Biznesmeni Taçi ndërkohë ndodhej jashtë vendit, por ai ka angazhuar dy të besuarit e tij, Balla e Lilo, të kryenin disa transaksione kundrejt kësaj shume drejt Hong-Kongut e Singaporit.

Procesi është ndërprerë, pasi shuma e parave u sekuestrua nga SPAK para se të copëzohej, ndërsa përgjimet e bisedave të të dyshuarve ekspozuan shqetësimin e tyre. Sipas SPAK, përfshirja e Taçit e të besuarve të tij në skemë është bërë kundrejt premtimit për marrjen e një përqindjeje të caktuar të fitimit.