Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiq: S’do çojmë ushtrinë në Kosovë, Serbia nuk do luftë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka qëllim që të urdhërojë futjen e forcave ushtarake të Serbisë brenda territorit të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lëvizje ‘të paprecedentë’ nga Beogradi, shkruan Koha.

Në një deklaratë për ‘Financial Times’ të shtunën, Vuçiqi ka thënë se ‘do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë sepse përshkallëzimi i konfliktit do ishte kundërproduktiv për aspiratat evropiane të Beogradit’.

“Përse do ishte e favorshme kjo për Beogradin?” ka thënë Vuçiq.

“Cili do të ishte qëllimi? Të shkatërrojmë pozicionin që kemi krijuar për një vit? Ta shkatërrojmë në një ditë? Serbia nuk dëshiron luftë.”

Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se po ndjekin me vëmendje ‘lëvizjen e paprecedentë të artilerisë, tankeve e njësive të tjera ushtarake serbe’ përgjatë kufirit me Kosovën duke e cilësuar lëvizjen si ‘shumë destabilizuese’.

Megjithatë, sipas Vuçiqit, numri i forcave serbe në terren ‘është në rënie’.

“Vitin e kaluar kemi pasur 14 mijë trupa pranë vijës administrative, sot kemi 7500 dhe do ta ulim numrin në 4 mijë”, ka thënë ai.

“Dërgimi i trupave serbe në vijën administrative është gënjeshtër e pastër. Serbia nuk do përfitonte nga kjo sepse do e rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet me Prishtinën të ndërmjetësuara nga BE-ja.”

Gjendja në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb.

Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan.

Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.