Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e policit në veri të Kosovës, Osmani ndërpret vizitën në New York! Figurat politike të vendit dënojnë sulmin


 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka ndërprerë vizitën zyrtare në New York, pas ngjarjes së rëndë në veri ku një polic mbeti i vrarë pas një sulmi me armë. Kjo u konfirmua nga këshilltari për media Bekim Kupina.

Kupina tha se Osmani sot do të niset për Kosovë.

“I ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York”, tha Kupina për Klan Kosova.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e cilësoi sulmin të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa i bën thirrje SHBA e BE që të dënojnë agresionin.

“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjithashtu ka reaguar pas vrasjes së policit në veri të Kosovës.

Përmes një postim në Facebook. Haradinaj ka shkruar se sulmi ndaj efektivëve të policisë është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

“Ky sulm terrorist është goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë. Ftoj organet tona të rendit për bashkërendim të veprimeve me KFOR dhe aleatët tanë të sigurisë të prirë nga Amerika, dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur gjithë këtë situatë dhe për të sjellë para drejtësisë, përgjegjësit e këtij akti. Rendi dhe ligji s’ka alternativë. Ngushëllime për familjen e policit që humbi jetën dhe shërim të shpejtë për policin e plagosur!”, ka shkruar Haradinaj.

Policia e Kosovës tha se menjëherë pasi kanë marrë informacion se rruga është bllokuar nga dy kamionë, janë nisur drejt vendit të ngjarjes.

Në reagimin zyrtar thuhet se grupi i policëve është sulmuar nga grupe të armatosura në disa vendetë ndryshme.

Më herët edhe kryeministri Albin Kurti, në një reagim në Facebook e ka konsideruar një akt terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po sulmon shtetin e Kosovës.

“Të dashur qytetarë. Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.” – ka thënë Kurti mes të tjerash.