Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me armë ndaj policisë në veri të Kosovës, humb jetën një efektiv! Kurti: Sulmuesit, profesionistë të armatosur rëndë


Tensionet janë rritur sërish në veri të Kosovës, ku një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e një sulmi me armë në Leposaviç, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Nga kjo ngjarje e rëndë, ka humbur jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i Policisë Kufitare.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 24 shtatorit. Raportohet se dy persona të maskuar i kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Bunjaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një reagim në Facebook e ka konsideruar një akt terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po sulmon shtetin e Kosovës.

“Të dashur qytetarë. Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, shkruan Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vrasja në veri është “planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe”.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, ka thënë mes tjerash ajo.