Vendosni fjalën kyçe....

98% e evropianëve thithin ajër të ndotur! Maqedonia e Veriut më e ndotura në Evropë – The Guardian


98% e evropianëve thithin ajër tej normave të ndotur dhe kontinenti i vjetër përballet me krizën më të rëndë të shëndetit publik, situatë përgjegjëse për rreth 400,000 vdekje në vit në të gjithë Evropën.

Investigimi vjen nga britanikja ‘The Guardian’ duke përshkruar zonat me nivele të rrezikshme.

Matjet i referohen PM2.5 në 1400 stacioneve të grimcave të vogla të ajrit të prodhuara kryesisht nga djegia e lëndëve fosile, disa prej të cilave mund të kalojnë përmes mushkurive dhe direkt në qarkullimin e gjakut e më pas në çdo organ. Sipas OBSH përqendrimet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub (µg/m 3 ). Mirëpo rezulton se vetëm 2% e popullsisë së Evropës jeton në zona brenda këtij kufiri dhe afro 30 milionë evropianë janë të rrezikuar.

Vendi më i ndotur në Evropë është Maqedonia e Veriut, ku dy të tretat e popullsisë jetojnë në zona me ndotje më shumë se 4 herë më të madhe se udhëzimet e OBSH, por 4 zona në Maqedoni u zbuluan me ndotje 6 herë më shumë se shifrat e lejuara përfshi edhe Shkupin.

Sipas kësaj harte pothuajse të gjithë banorët në 7 vende në Evropën Lindore, Serbi, Rumani, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Poloni, Sllovaki dhe Hungari, kanë dyfish ndotje nga norma e lejuar nga OBSH.

Në Gjermani, tre të katërtat e popullsisë jeton me më shumë se dyfishin e normës. Në Spanjë kjo shifër është 49%, dhe në Francë është 37%. Në Mbretërinë e Bashkuar, tre të katërtat e popullsisë jetojnë në zona ku ekspozimi është midis një dhe dy herë më shumë se udhëzimi i OBSH-së.

Në Suedi, përkundrazi, nuk ka asnjë zonë ku PM2.5 arrin më shumë se dyfishin e shifrës së OBSH-së dhe disa zona në Skocinë veriore janë ndër të paktat në të gjithë Evropën që bien poshtë saj. Trafiku, industria, ngrohja shtëpiake dhe bujqësia janë burimet kryesore të grimcave PM2.5 dhe ndikimi shpesh ndihet në mënyrë disproporcionale nga komunitetet më të varfra. Ekspertët thonë se duhen marrë masa urgjente.