Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet agjentja e shërbimeve postare në Korçë, pasi dyshohet se ka përvetësuar shumën 3 milionë euro nëpërmjet mashtrimit


Një agjente e shërbimeve postare private është arrestuar pasi akuzohet se përmes mashtrimit ka përfituar shuma të mëdha monetare. Sipas policisë dyshohet se korçarja Alma Beqiri përmes mashtrimit ka mundur të përvetësojë 3 milionë euro për një periudhë 2 vjeçare.

Mësohet se 46 vjeçarja ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec.

NJOFTIMI I POLICISE

Operacioni, i finalizuar pas hetimeve të thelluara 2-mujore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Përfitonte shuma të konsiderueshme monetare, duke mos arkëtuar pagesat e klientëve që merrnin shërbimin postar, tek kompania private në të cilën ishte e punësuar agjente e shërbimeve postare private, vihet në pranga 46-vjeçarja. Sekuestrohen 2 automjete që i kishte në përdorim kjo shtetase. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas hetimeve 2-mujore, finalizuan operacionin e koduar “Postmail”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases:

-A. B., 46 vjeçe, banuese në Korçë.

Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se kjo shtetase, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3 000 000 euro. 46-vjeçarja, me detyrë agjente e shërbimeve postare private, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim. Shumën e konsiderueshme të përfituar, kjo shtetase dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, në përdorim nga 46-vjeçarja. Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë skemë mashtrimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.