Vendosni fjalën kyçe....

Konflikti Rusi – Ukrainë, qeveria shqiptare bën gati projektligjin për rezervistët, mbilizohen ushtarakë e civilë


Qeveria vendos të rregullojë me ligj shërbimin rezervist. Do të jetë një strukturë e përbërë prej 2100 ushtarakësh rezervistë e cila do të organizohet dhe do të funksionojë si pjesë përbërëse e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

Funksioni i kësaj strukture është një kërkesë e vazhdueshme e NATO-s dhe bëhet i domosdoshëm sidomos tani me konfliktin Rusi -Ukrainë

“Me gjithë përpjekjet për krijimin dhe funksionimin e strukturës organike të rezervës në Forcat e Armatosura, hartimit të konceptit të përdorimit apo akteve për këtë strukturë, krahas traditës së FA-së në të kaluarën, lind domosdoshmëria e funksionimit të saj nga anëtarësia në NATO, nga përvoja dhe kërkesat e vazhdueshme të Aleancës, për përqindjen e fillimit të aktivizimit të kësaj strukture, nga situata rajonale e sidomos nga konflikti aktual Rusi-Ukrainë” thuhet në relacionin që i bashkangjitet këtij pr/ligji.

Detyrim ndaj atdheut

Deri tani shërbimi ushtarak rezervë gjente rregullim të pjesshëm në disa nene me ligjin nr. 9047, datë 10.07.2003 “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ky ligj përcaktonte se shërbimi ushtarak në rezervë ishte i detyrueshëm por pas 17 vitesh, por me draftin e ri të dalë më 13 shtator 2023 në konsultim publik ky shërbim konsiderohet si veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për shtetin, që kryhet në bazë të dëshirës, vullnetit dhe detyrimit për t’i shërbyer atdheut dhe interesave të kombit

Rezervistë dhe civilë

Në nenin 2 të draftit parashikohet mobilizimi në shërbimin ushtarak jo vetëm ata që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura si ushtarak aktiv dhe pasi ndërpret karrierën ushtarake, si oficer, nënoficer dhe ushtar, por dhe civilë që nuk kanë shërbyer si ushtarak në FA por plotëson kushtet dhe kriteret të cilat do të miratohen nga ministria e Mbrojtjes, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në këtë rast duhet të plotësojë kriteret e pranimit në shërbimin ushtarak rezervist, titullohet dhe i jepet grada e parë ushtarake.

Shqiptari me dy shtetësi

Parashikohet që kryerja e shërbimit rezervist u lejohet dhe shtetasve shqiptarë me dy shtetësi.

“Shtetasit që kanë edhe një shtetësi tjetër, krahas asaj shqiptare, mund të kryejnë  shërbimin ushtarak rezervist sipas përcaktimeve të  marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve përkatëse’ thuhet në nenin 11 të pr/ligjit

Rezervistë dhe 60 vjeç

Gjithashtu me draftin e ri rritet dhe mosha e shërbimit ushtarak reservist shkon duke shkuar deri në 60 vjeç për oficerë, ndërkohë me ligjin e vjetër 9047 të 2003 shërbimi ushtarak në rezervistë ishte i detyrueshëm deri në moshën 50 vjeçare.

Me draftin e ri propozohet  që shërbimi ushtarak rezervist kryhet nga shtetasit shqiptarë të moshës:

a) deri 50 vjeç për ushtarë;

b) deri 55 vjeç për nënoficerë;

c) deri 60 vjeç për oficerë.

Dhe në Misione të NATO-s po qe nevoja

 Rezervistët do të jenë në krah të FA dhe në misionet e NATO-s, apo në misione ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE-ja për sigurinë rajonale dhe globale

“Shërbimi ushtarak rezervist shërben për të siguruar individë të trajnuar, me qëllim kompletimin e strukturës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ruajtjen e nivelit të gatishmërisë dhe operacionalitetetit të kërkuar, rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, të nevojshme në rastet e përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, si dhe për plotësimin e detyrimeve kombëtare në kuadër të NATO-s, operacionet në përgjigje të krizave, operacionet e mbështetjes së paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale, si dhe operacionet e emergjencave civile” citohet në nenin 3 të ligjit

Rekrutimi do të bëhet përmes konkursit

Rekrutimi bëhet përmes procedurës së konkurrimit dhe rezervisti nënshkruan kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë me kohëzgjatje jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi, por pa kaluar kriteret e qëndrimit në shërbimin ushtarak në rezervë.Ushtaraku i shërbimit rezervist nuk ka kufizime territoriale gjatë kryerjes së këtij shërbimi.

14 – 45 ditë shërbim ushtarak, por dhe më shumë

Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit. Për nevoja të stërvitjeve ushtarake, që zgjasin më shumë se 14 deri 45 ditë në vit, ministri i Mbrojtjes urdhëron bashkimin e ditëve të stërvitjes të dy viteve, por jo më shumë se 45 ditë.

Koha e shërbimit ushtarak rezervist mund të zgjatet vetëm në rastet kur vendosen masat e jashtëzakonshme si

a) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në kuadrin e vendosjes së masave të jashtëzakonshme dhe për aq kohë sa vazhdon kjo gjendje;

b) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione ushtarake ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE-ja.

c) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione apo misione humanitare ndërkombëtare të drejtuara nga BE-ja.

ç) aktivizohet për të marrë pjesë në operacione në mbështetje të autoriteteve civile në emergjencat civile.

Kur rezervisti kandidon për deputet

Pr/ligji parashikon se nëse një rezervist kandidon ose zgjidhet në zgjedhjet e përgjithshme ose ato vendore atëherë shtyhet afati i thirrjes për kryerjen e shërbimit ushtarak rezervist. Gjithashtu shtyhet thirrja dhe në rastet kur rezervisti është i paaftë, familja është në vështirësi ekonomike apo vazhdon studimet e larta.

Kur rezervisti lirohet para kohe

Ndër rastet kur rezervisti lirohet para kohe është dhe nëse humbet shtetësinë shqiptare apo dënimet me burg ose i jepet masa shumë e rëndë disiplinore “shkarkim dhe lirim nga Forcat e Armatosura” sipas ligjit për disiplinën në Forcat e Armatosura.

Të drejtat dhe detyrimet e ushtarakut rezervist, gjatë periudhës së aktivizimit të tij në shërbimin ushtarak rezervist, janë të njëjta me ato të ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura, me përjashtim të të drejtave dhe detyrimeve që ligji ua njeh vetëm ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura.

Rezervistit i ruhet vendi i punës

Shtetasi i cili aktivizohet për kryerjen e shërbimit ushtarak rezervist, ka të drejtën e ruajtjes së vendit të punës. Po kështu subjektet shtetërore dhe private janë të detyruara ta rikthejnë në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend tjetër të barasvlershëm.

Në rastet e aktivizimit të ushtarakut në shërbimin ushtarak rezervist, subjektit privat i njihet e drejta e kompensimit në masën dhe sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja

Projektligji per rezervistet