Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti ku humbën jetën dy turistë italianë, Rrumbullaku pezullon shefin e Rrugores, nis hetimi për zinxhirin komandues


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Rrumbullaku ka pezulluar nga detyra shefin e Policisë Rrugore në Komisariatin e Sarandës, Nënkomisarin me iniciale A.Sh.

Pezullimi i tij ka ardhur si masë lidhur me aksidentin tragjik orët e para të mëngjesit të sotëm në Sarandë ku humbën jetën dy  turistë italianë, një 24-vjeçar e një 32-vjeçar.

Po kështu Rrumbullaku ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin dhe për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.

Gjithashtu lidhur me rastin ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.

Mjeti i përfshirë në aksident drejtohej nga një 17-vjeçar, i cili u lëndua bashkë me shokun e tij e shkuan në spital për ndihmë mjekësore.