Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Lufthansas ‘maskohet’, punon si stjuard për një ditë


CEO i ‘Lufthansa Airlines’, Jens Ritter, ndërroi rolin për pak kohë duke u ‘maskuar’ si stjuard në fluturimet për në Aeroportin Ndërkombëtar të Riadit ‘King Khalid’ e Aeroportin Ndërkombëtar të Bahreinit, shkruan Aerotime.

Në një postim në LinkedIn, Ritter tha se herë pas here nevojitet një ndryshim i perspektivës për të fituar njohuri të reja, pasi ai ndau mendimet e tij për përvojën e fundit.

“Kam shumë vite që punoj për Grupin Lufthansa. Por unë kurrë nuk kam pasur mundësinë të punoj si pjesë e ekuipazhit të kabinës,” tha Ritter.

Ritter kishte punuar gjithashtu si pilot komercial për kompaninë ‘Lufthansa’ që nga viti 2000 dhe u kualifikua si kapiten për avionët Airbus A320 në ‘Germanwings’ në vitin 2014.

“Dikur fluturoja si pilot dhe kështu mendova se dija për sfidat që sjell një fluturim gjatë natës. Por të jesh i pranishëm, i vëmendshëm dhe simpatik kur ora biologjike thjesht të thotë të flesh, ishte diçka krejtësisht ndryshe”, shtoi Ritter.

Jens shërbeu në kabinën e klasit të biznesit gjatë rrugës për në Riad dhe punoi në kabinën ekonomike gjatë fluturimit për në Aeroportin e Frankfurtit (FRA).

“U habita se sa shumë kishte për të organizuar, veçanërisht nëse diçka nuk shkon siç ishte planifikuar. Për shembull vaktet e ofruara në kartat e menusë nuk ishin saktësisht ushqimet e ngarkuara në bord. Ishte kaq interesante të adresoja dëshirat e udhëtarëve individualisht, për t’u marrë me energjinë e ndryshme që kanë të gjithë,” tha Ritter për përvojën.

Ritter tha se pas qëndrimit, ai kishte vendosur që gjërat në zyrë ‘do ishin ndryshe pas flutirimit në pozicionin e ri’.

Ritter nuk është lideri i parë i një linje ajrore që punon si stjuardesë.

Në maj 2023, CEO i KLM, Marjan Rinterl, gjithashtu u shërbeu pasagjerëve në një fluturim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Los Anxhelosit (LAX) për në Aeroportin Schiphol të Amsterdamit (AMS).