Vendosni fjalën kyçe....

Trump planifikon të burgoset në Xhorxhia të enjten


Ish-Presidenti Trump njoftoi se do të paraqitet tek autoritetet në Xhorxhia të enjten, për çështjen gjyqësore ku ai akuzohet se planifikoi veprime të paligjshme për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020.

“A mund ta besoni? Do të shkoj në Atlanta, Xhorxhia, të enjten që të më ARRESTOJNË”, shkruajti zoti Trump në rrjetin e tij të mediave sociale mbrëmjen e së hënës, pak pasi u bë e ditur se garancia financiare për të është përcaktuar në shumën 200 mijë dollarë, përcjell Zëri i Amerikës.

Ish-Presidentit Trump, të cilit i ishte vendosur afati deri të premten për t’u paraqitur, i ndalohet gjithashtu frikësimi i të akuzuarve të tjerë, dëshmitarëve, apo viktimave në kuadrin e kësaj çështjeje – përfshirë nëpërmjet mediave sociale – thuhet në marrëveshjen e firmosur nga Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, avokatët e zotit Trump dhe nga gjykatësi.

Ish-presidenti ka përdorur në mënyrë të përsëritur mediat sociale për të sulmuar personat e përfshirë në çështjet penale ndaj tij, ndërsa vazhdon fushatën për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Ai ka vepruar kështu ndaj Prokurores Willis, si dhe iu drejtua me emër të hënën Guvernatorit të Xhorxhias, Brian Kemp – një zyrtar republikan që ka refuzuar përpjekjet për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Marrëveshja ia ndalon ish-presidentit bërjen e “kërcënimeve direkte apo indirekte të çfarëdo natyre” ndaj dëshmitarëve apo të akuzuarve të tjerë, si dhe komunikimin në çfarëdolloj forme për faktet e çështjes së përbashkët gjyqësore, me përjashtim të komunikimit nëpërmjet avokatëve.

Garancia financiare është një shumë që të akuzuarit duhet ta paguajnë si një formë kolaterali, për t’u siguruar se do të paraqiten në gjykatë për seancat gjyqësore.

Prokurorja Willis ka përcaktuar afatin deri të premten në mesditë që ish-Presidenti Trump dhe 18 personat e akuzuar bashkë me të, të paraqiten për të bërë procedurat e regjistrimit. Prokurorja ka propozuar që ngritja e akuzave të bëhet në javën pasuese të 5 shtatorit. Ajo është shprehur se dëshiron që të akuzuarit të gjykohen në një proces gjyqësor të përbashkët, dhe se dëshiron ta paraqesë çështjen në gjykatë në marsin e vitit të kaluar, që do të shtonte kështu tensionet gjatë periudhës së kandidimit për president.

Ndër të akuzuarit janë edhe shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, avokati i zotit Trump dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, si dhe një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, Jeffrey Clark, i cili ndihmoi përpjekjet e ish-presidentit për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet në Xhorxhia.

Akuzat në Xhorxhia vijnë vetëm dy javë pasi prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë në një çështje tjetër hetimore për një komplot të gjerë për përmbysjen e rezultatit zgjedhor. Krahas dy çështjeve gjyqësore që kanë lidhje me zgjedhjet, ish-Presidenti Trump përballet me akuza federale për marrjen dhe mbajtjen e paligjshme të dokumentave të klasifikuara, si dhe një çështje gjyqësore në shtetin e Nju Jorkut ku akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit.