Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare akademiku Bahri Beci


Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare akademiku e gjuhëtari i njohur Bahri Beci.

Beci lindi në Shkodër më 28 shkurt 1936. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës në vitet 1954-1958 në fushën e Gjuhës e të Letërsisë shqipe.

Nga shtatori i vitit 1958 e deri më 1977 u emërua Punonjës Shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë.

Në vitin 1979 Beci mori gradën shkencore ‘Kandidat i shkencave’ për disertacionin ‘Të folmen e gegërishtes qendrore’ dhe titullin ‘Bashkëpunëtor i vjetër shkencor’.

Më 1984 në Tiranë, mbrojti sërish doktoratën me temën ‘Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës’ dhe në vitin 1994 mori titullin ‘Drejtues kërkimesh ose Profesor’.

Në vitet 1974-1975 ka qenë Sekretar Shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kryeredaktor i revistës ‘Studime filologjike’ në vitet 1984-1993, shef i Sektorit të Gramatikës dhe të Historisë së Gjuhës në Institutin e Gjuhësisë 1993-1997 dhe drejtor i këtij instituti në vitet 1993-1997.

Më 2008 Bahri u zgjodh si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra / “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës.

Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës.

Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së Atlas Linguorum Europae (ALE).

Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).

Bahri Beci është ati i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci.