Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në veri të Kosovës, Bislimi e Petkoviç takojnë sot Lajçakun


Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë u ftuan nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçak do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.

I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.

Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë.

Kosova thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord.

Takimet dypalëshe kanë nisur në mëngjes, por burimet në BE nuk kanë bërë të ditur se deri kur mund të zgjasin.

Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian thonë se është synim që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Një burim i BE-së ka thënë se “kjo do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht e kryenegociatorëve, për t’u takuar mes vete“ ndërsa BE-ja “gjithsesi ka synim që të ketë edhe takim trepalësh“.

Deri më tash ka ndodhur shpesh që në takimet e dialogut të ketë vetëm takime dypalëshe mes përfaqësuesve të BE-së dhe delegacionit të Kosovës, përkatësisht Serbisë.

Kështu ka ndodhur në qershor kur në Bruksel ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata patën takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, por jo edhe mes vete.

Ka qenë presidenti i Serbisë, Vuçiq, ai që ka refuzuar të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, Kurti. Ka pasur raste kur edhe kryenegociatorët kanë refuzuar të ulen në takime të përbashkëta.

Në situata të tilla, lehtësuesit nga ana e BE-së diskutojnë herë me njërën, e pastaj me tjetrën palë, në përpjekje për t’i afruar qëndrimet.

Tensionet në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL