Vendosni fjalën kyçe....

Financat shkurtojnë me 63% planin e financimit për inceneratorin e Tiranës me 2023


Ministria e Financave ka shkurtuar fondet e programuara në fillim të vitit për financimin e inceneratorin e Tiranës. Lajmi u njoftua në dokumentin e rishikimit të mes vitit të buxhetit 2023.

Nga 1,27 miliardë lekë i ishte fondi përcaktuar në buxhetin fillestar, në rishikimin e qershorit do të jetë vetëm 464 milionë lekë me një ulje 63 për qind nga programi. Sakaq deri në fund të muajit maj inceneratori mori 326 milionë lekë ose rreth 70 për qind të financimit vjetor raportoi Ministria e Financave (shiko tabelat e mëposhtme).

Siç shihet nga të dhënat e Ministrisë së Financave impianti i djegies së mbetjeve në Tiranë nisi të financohej në vitin 2019 ku mori 977 milionë lekë, në vitin 2020 rreth 1,3 miliardë lekë në vitin 2021 rreth 1,2 miliardë lekë, në vitin 2022 mori 1,27 miliardë lekë dhe këtë vit financimi do të jetë 464 milionë lekë.

Financimi progresiv i inceneratorit të Tiranës arriti në 5,2 miliardë lekë në fund të vitit majit 2023, raporton Ministria e Financave.

Që nga fillimi i projekteve, pagesat progresive për të tre inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, kapin vlerën totale 11 miliardë lekë (103 mln euro) deri në qershor 2023. Më herët, burimet e rezervuara nga Ministria e Financave i pohuan “Monitor” se pagesat buxhetore për inceneratorët mund të bllokoheshin, por më parë duhet të nisë një hetim administrativ nga ministria e linjës që mbikëqyr kontratat, që në këtë rast është Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë.

Në vitin 2015 qeveria e Shqipërisë prezantoi projektet e i inceneratorëve, një në Elbasan, një në Fier dhe një Tiranë si me novatorët në menaxhimin e mbetjeve. Që nga viti 2016 e deri më tani objektet ishin nga më të financuarat me fondet e brendshme buxhetore, por ndërkohë një hetim nga SPAK ka zbuluar një mega aferë korrupsioni me objektet.

Parregullshmërirë përfshijnë të gjitha proceset që nga projektet deri tek financimi dhe një seri zyrtarësh të lartë ish Ministra dhe së fundmi ish zv/Kryeministri, Arben Ahmetaj janë burg dhe ne urdhër arresti.

Proceset e hetimeve kanë çuar në sekuestro dy impiantet e Fierit dhe Elbasanit që tashme administrohen nga shteti. Roli i këtyre dy objekteve ne menaxhimin e mbetjeve thuajse ka qenë inekzistent.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se, në vitin 2021, vetëm 2 për qind e mbetjeve të gjeneruara në shkallë vendi u përpunuan nëpërmjet inceneratorëve. Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me financimet që janë akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.

Pa nisur pagesat për inceneratorët qeveria shpenzonte afërisht 3 milionë euro në vit për menaxhimin e mbetjeve urbane. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2015 programi i menaxhimit të mbetjeve urbane u financua me 400 milionë lekë rreth 3 milionë euro./B.Hoxha

VINI RE: Ky  material është pronësi intelektuale e Monitor