Vendosni fjalën kyçe....

Rusia e Franca ‘luftë deklaratash: Parisi ka ende mendësi koloniale ndaj Afrikës


Franca, si dhe vendet e tjera evropiane, kanë treguar vazhdimisht një ‘mendësi koloniale’ kur bëhet fjalë për kombet afrikane, ka thënë ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Kryediplomati i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij nga Mali, Abdoulaye Diop, pas bisedimeve në Moskë.

Gjatë bisedimeve, pala ruse përsëriti gatishmërinë e saj për të vazhduar ofrimin e mbështetjes për Bamako, duke përfshirë stërvitjen e forcave të armatosura dhe të sigurisë të Malit.

“Pakënaqësia e tyre me vendimin e autoriteteve të Malit për të kërkuar ndihmë nga fuqitë e huaja për të ofruar mbrojtje dhe siguri nuk është asgjë më shumë se ringjallja e një mendësie koloniale, të cilën evropianët duhet ta kishin hequr qafe shumë kohë më parë.” – tha Lavrov.

Kombet e tjera evropiane kanë treguar gjithashtu një qasje të ngjashme ndaj Afrikës, tha ai, duke kujtuar një takim me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shtatorin e kaluar.

“Të dy më shprehën në mënyrë të tensionuar shqetësimet e tyre se Rusia po zhvillon lidhje me Afrikën dhe, veçanërisht, me Malin. Ata e justifikuan këtë pozicion në një mënyrë mjaft koloniale: Afrika është një zonë e përgjegjësisë, ndikimit dhe interesave të BE-së.” – shtoi Lavrov.

Nuk mund të pranoj argumente të tilla, ky është neo-kolonializëm i pastër, pamundësi për t’u ndarë me zakonet e vjetra që e çuan Afrikën në një gjendje shumë të keqe asokohe.

Mali drejtohet nga presidenti i përkohshëm Assimi Goita, një Kolonel i ushtrisë që udhëhoqi grushtin ushtarak të vitit 2020 kundër presidentit të mëparshëm Ibrahim Boubacar Keita si dhe grushtin e shtetit të majit 2021 kundër pasuesit të tij, Bah N’Daw.

Pas grushtit të shtetit të fundit, marrëdhëniet midis Malit dhe Francës janë përkeqësuar.