Vendosni fjalën kyçe....

Sherri për guroren e të afërmit të deputetit socialist në Krujë, arrestohen 4 persona shpallen në kërkim 3 të tjerë (Video)


Policia ka shoqëruar në komisariat 8 autorët e dyshuar të cilët goditën në ambientet e një lokali 2 shtetas.

Pas veprimeve të policisë janë arrestuar katër persona dhe u shpallën në kërkim tre të tjerë.

Në sherr u përfshinë fisi Rraja të cilët goditën dy shtetasit Jashar dhe Bilbil Maja.

Dy vëllezërit Maja dyshohet se janë rrahur nga grupi i personave që shihet në video për shkak se u anuan për guroren në pronësi të të afërmit të deputetit socialist Rrahman Rraja.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në lidhje me një konflikt në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, dhe të Repartit Special RENEA, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasit:

– I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore u bë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.

Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për zhvillimin e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.