Vendosni fjalën kyçe....

PD e Rithemelimit publikon pjesë nga dosja për manipulimin e zgjedhjeve në Vorë, Kamzë, Rrogozhinë e Kavajë


Ashtu siç u paralajmërua nga Sali Berisha, PD-ja e Rithemelimit ka nisur me denoncimet sipas bashkive për manipulimin e rezultatit zgjedhor si ajo pretendon.

Ditën e sotme janë publikuar pjesë nga dosja në bashkitë e Vorës, Kamzës, Rrogozhinës dhe Kavajës.

Deputeti Edi Paloka tha se PD-ja ka siguruar një dosje voluminoze ku sipas tij tregojnë farsën elektorale.

Paloka tha se për sa kohë që të jetë në pushtet kryeministri Edi Rama në vendin tonë nuk do të mbahen zgjedhje të lira, por PD do vazhdojë të denoncojë shkeljet e bëra më 14 maj të cilat tregojnë format e përdorura nga ‘Rilindja’ për të vjedhur votën qytetarëve.

PD tashmë ka një dosje voluminoze me faktet e farsës zgjedhore që ndodhi më 14 maj, janë bërë shumë vite tashmë që Rama që kur ka ardhur në pushtet, çdo zgjedhje vetëm ka gjetur forma për të manipuluar dhe shantazhuar. Që kur ka ardhur Rama në pushtet nuk ka pasur zgjedhje të lira, duket që sistemi i ngritur prej tij synon të njëjtën gjë, sa të jetë ai në pushtet nuk do të ketë zgjedhje. Është detyrimi ynë për të bërë të qartë qytetarëve dhe ndërkombëtarët, se sa të jetë Rama në pushtet shqiptarët nuk do të votojnë të lirë. Në do të paraqesim dosjen e cila tregon të gjitha format që ka përdorur Rama për t’i marrë votën atyre që nuk kanë pranuar ta shesin apo ta blejnë, dosja është voluminoze janë me dhjetëra fakte të tjera, të cilat janë kapur nga ne por nuk janë të vetmet. Këto fakte janë dërguar dhe në KAS e SPAK për ndjekje penale, pasi krimet zgjedhore janë krime penale por rezultatet janë zero, pasi të gjitha institucionet janë të kapura”, tha Paloka.

Ndërsa kandidati i Bashkë Fitojmë në Vorë, Indrit Hoxha u shpreh se “Në Vorë problematikat kanë qenë të mëdha. Përdorimin e bandave e kemi hapur gjatë gjithë fushatës. Abuzimi me fondet e buxhetit vendor për tërmetin, mbajtja peng e 400 apartamenteve, duke u bërë presion qytetarëve për ditën e zgjedhjeve, ato edhe sot nuk janë shpërndarë. U janë vendosur një numër i madh gjobash biznesit, deri në 2 miliardë lekë për ti bërë presion. Administrata u fry, u punësuan 1038 persona në një bashki që tani është e falimentuar. Cilido që e ka fituar atë bashki i ka bërë llogaritë gabim sepse jam i bindur që shumë shpejt do të ketë zgjedhje të reja. Gjatë ditës së zgjedhjeve kemi pasur denoncime ku një qytetar votonte për njërin kandidat dhe vota dilte për qytetarin tjetër. KQZ e pranoi kërkesën tonë për të bërë një ekspertizë ndërkombëtare për çështjen e votimit elektronik”.

Gjatë prezantimit të dosjes me manipulime, kandidati i Bashkë Fitojmë në Kamëz, Arjan Hoxha deklaroi se PD-ja ka foto dhe video se si votimi elektronik ishte tërësisht i kontrolluar.

Kemi foto dhe video të përdorimit të të gjithë administratës së bashkisë që kanë qëndruar të shpërndarë në çdo qendër votimi për të orientuar votuesit të votojnë për Rakip Sulin. Është bërë votim i kontrolluar, sipas qendrave të votimit. Ne kemi një listë me 100 persona që gjatë gjithë 14 majit kanë kontrolluar votimin. Ne kemi denoncuar 32 tendera me flamur të kuq që janë kapur edhe nga KLSH-ja”, deklaroi Hoxha.