Vendosni fjalën kyçe....

‘Lufta e çipave’ me Perëndimin, Kina ‘hakmerret’ duke frenuar eksportin e lëndëve të para


Kina ka reaguar ndaj përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për të bllokuar përparimet në industrinë e saj të prodhimit të çipave, duke vendosur kufizime në eksportet e lëndëve të para kryesore që rivalët e saj perëndimorë kanë nevojë për prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Kontrollet e reja të eksportit, të shpallura të hënën nga Ministria Kineze e Tregtisë, do hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe do zbatohen për galiumin dhe germaniumin, metale të rralla që përdoren në prodhimin e çipave kompjuterikë dhe një sërë prodhimesh të tjera, si panelet diellore dhe pajisjet e përparuara të radarëve.

Eksportuesit do kenë nevojë për ‘leje të posaçme’ për të transportuar një nga dy metalet ose përbërësit e tyre derivat nga Kina, tha ministria, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare.

Kina është prodhuesi kryesor në botë i galiumit dhe është një eksportues kryesor i germaniumit. Bashkimi Evropian i ka përfshirë të dy metalet në listën e tij të lëndëve të para me vlerë, që do të thotë se ato konsiderohen ‘tejet të rëndësishme për ekonominë e Evropës’.

SHBA-ja nuk ka prodhuar asnjë galium që nga viti 1987 dhe mbështetet te Kina për 53% të importeve të saj të materialit midis viteve 2018 dhe 2021, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Njoftimi i Pekinit vjen vetëm tre ditë pasi qeveria holandeze vendosi kufizime të reja në eksportet e pajisjeve të përparuara gjysmëpërçuese, duke mbështetur përpjekjet e SHBA-së për të bllokuar Kinën nga qasja e teknologjisë që konsiderohet e rëndësishme për zhvillimin e inteligjencës artificiale.