Vendosni fjalën kyçe....

Blinken: Rebelimi i Wagner ‘kërcënim i drejtpërdrejtë për autoritetin e Putinit’


Rebelimi i Grupit Wagner ishte një ‘sfidë e drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të Vladimir Putinit’ që tregon ‘çarje të vërteta’ në drejtimin ushtarak të Rusisë, tha të dielën Sekretari amerikan i Shtetit.

Në një intervistë me Face the Nation të CBS News, Antony Blinken tha se rebelimi i mundshëm nga forcat e Yevgeny Prigozhin ‘ngriti pikëpyetje të thella rreth premisave për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës’. Blinken tha gjithashtu se Ukraina mund të përfitojë ushtarakisht nga rebelimi.

“Kjo gjë paraqet një shpërqendrim të vërtetë për Putinin dhe për autoritetet ruse, të cilët duhet të merren më krizën, ndërkohë që po përpiqen të merren me kundërofensivën e Ukrainës,” tha Blinken.

Prigozhin anuloi marshimin e Grupit Wagner drejt Moskës të shtunën, pas bisedimeve me Alexander Lukashenkon, presidentin e Bjellorusisë dhe një aleat kyç i Putinit. Rusia tha se kishte arritur një marrëveshje me Prigozhin, sipas së cilës ai do transferohej në Bjellorusi.

Kremlini u përpoq të përgatitej për mbrojtjen e Moskës pasi Prigozhin urdhëroi forcat e tij drejt kryeqytetit, duke ngritur poste mitralozësh në kufijtë e qytetit dhe duke gërmuar llogore antitank. Blinken tha se Putin mbante përgjegjësinë përfundimtare për kaosin.

“Gjashtëmbëdhjetë muaj më parë, forcat ruse ishin në pragun e Kievit, në Ukrainë, duke menduar se do ta merrnin qytetin brenda pak ditësh, duke menduar se do ta fshinin Ukrainën nga harta si një vend i pavarur”, tha Blinken.

“Tani gjatë kësaj fundjave, atyre u është dashur të mbrojnë Moskën, kryeqytetin e Rusisë, kundër mercenarëve të vetë Putinit.” – shtoi ai.