Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Biden lëshon inteligjencën për laboratorin e Wuhan


Agjencitë amerikane të inteligjencës nuk e dinë se si filloi pandemia Covid-19, thotë inteligjenca e deklasifikuar, shkruan Politico.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në një raport të publikuar sot tha se të gjitha agjencitë e qeverisë ‘vazhdojnë të vlerësojnë se si origjina natyrore, ashtu edhe ajo e lidhur me laboratorin mbeten hipoteza të besueshme për të shpjeguar infeksionin e pare te njerëzit lidhur me Covid-19’.

Raporti pranon se studiuesit në Institutin e Virologjisë në Wuhan të Kinës, ku shkencëtarët kryen kërkime për koronavirusin në qytetin ku u shfaq për herë të parë Covid, u sëmurën në vjeshtën e vitit 2019, pak para fillimit të pandemisë.

Wall Street Journal, duke konfirmuar raportimin nga gazetarët në blogun ‘Substack Public’, raportoi javën e kaluar se një nga studiuesit e sëmurë, Ben Hu, kishte punuar për koronaviruset me financimin e SHBA-së.

Mbrojtësit e teorisë së rrjedhjes së laboratorit e kapën lajmin si provë pothuajse përfundimtare se hipoteza e tyre ishte e saktë. Por raporti i inteligjencës thotë se nuk është aq i sigurt.

Ndërsa disa studiues të Institutit të Virologjisë në Wuhan ‘u sëmurën lehtë në vjeshtën e vitit 2019’, raporti pranon, ‘ata përjetuan një sërë simptomash në përputhje me ftohjet ose alergjitë me simptoma shoqëruese që zakonisht nuk lidhen me Covid-19, dhe disa prej tyre u konfirmuan se kanë qenë të sëmurë me sëmundje të tjera që nuk kanë lidhje me Covid-19’.

Raporti konfirmon se laboratori i Wuhan-it nuk i përmbahej gjithmonë protokolleve të sigurisë në studimin e koronaviruseve. Agjencitë e inteligjencës thonë gjithashtu se studiuesit e institutit kanë inxhinieruar gjenetikisht koronaviruse, por agjencitë nuk kanë informacione që tregojnë se studiuesit kanë punuar në eksperimentin që çoi në pandemi.

Raporti thotë se instituti Wuhan dihet se ka bashkëpunuar me Ushtrinë Kineze, por vetëm në projekte mbrojtëse që lidhen me përmirësimin e biosigurisë së Kinës dhe aftësitë e paralajmërimit të hershëm të sëmundjeve.

Raporti konfirmon gjithashtu mosmarrëveshjen midis agjencive amerikane, me Këshillin Kombëtar të Inteligjencës dhe agjencitë e tjera të inteligjencës që favorizojnë teorinë e origjinës natyrore, ndërsa FBI dhe Departamenti i Energjisë favorizojnë hipotezën e rrjedhjes së laboratorit. CIA nuk ka marrë një qëndrim.

Inteligjenca u lirua në përputhje me një ligj që Kongresi miratoi njëzëri dhe presidenti Joe Biden e  nënshkroi në mars.

Mbrojtësit e ligjit, duke përfshirë nxitësin e tij, Senatorin republikan Josh Haëley, kishin shpresuar se ai do hidhte dritë të re mbi origjinën e pandemisë.

Republikanët në Kongres e kanë shtyrë gjithnjë e më shumë teorinë e rrjedhjes së laboratorit dhe kanë akuzuar administratën Biden se po përpiqet ta mbulojë atë, sepse SHBA-ja financoi kërkimin në laboratorin në Wuhan.