Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria mat forcat përballë Moldavisë, “kuq e zinjtë” me mision fitoren në “Air Albania”


Kombëtarja shqiptare, zbret mbrëmjen e sotme në “Air Albania” përballë Moldavisë në të parën e dy ndeshjeve ku ka detyrim marrjen e tre pikëve, për të vazhduar si duhet misionin madhor për t’u kualifikuar në kampionatin europian.

Shqipërisë së Sylvinhos pas humbjes me Poloninë i duhet fitorja në shtëpi përballë Moldavisë, mision aspak i lehtë, mjafton të kujtosh se ishin moldavët ata që ndalën në barazim Çekinë kryesuese të grupit.

Gjithsesi, është vetë objektivi kualifikim në Europian që nuk lë shteg për gabime, Shqipërisë i duhet të bëjë lojën dhe të marrë tre pikët përballë një kundërshtari që vjen me ambicie për të bërë surprizën e madhe me një fitore në Tiranë.

Shqipëria vjen në këtë takim në një atmosferë pozitive, grupi ka nisur përgatitjet prej thuajse dy javësh, dhe Sylvinho mund të mbështetet te një grup i fortë dhe i plotë, me sulmues që vijnë në formë, duke nisur nga Uzuni njeriu i momentit, mesfushorë me minuta në këmbë, dhe mbrojtës të regjur në kampionate të forta.