Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Vizioni për Asociacionin mund të thellohet nëse ka pajtueshmëri mes palëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mund ta thellojë draft-vizionin e paraqitur nga ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por së pari, sipas tij, duhet të ketë pajtueshmëri mes palëve.

Unë këtë [draft-vizionin për Asociacionin] mund të thellojë, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën se unë i kam thënë në parim, kur të pajtohemi në parim atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 8 qershor.

Në draft-vizionin për Asociacionin të prezantuar nga Kurti, thuhet se për të arritur deri te një draft-statut për Asociacionin, ai duhet t’i plotësojë disa kushte – mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Pas kësaj, sipas draft-vizionit, do të duhej të parashihej edhe mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Por, Qeveria e Kosovës e kishte refuzuar të njëjtin dhe më pas kishte shkarkuar Ekipin Menaxhues, të përbërë prej katër anëtarësh serbë.

Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e Ekipit Menaxhues, për shkak se ai draft imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën Serbe të Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht, unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të Marrëveshjes Bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër – e cila nuk e pranoi fare dokumentin – e më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit, për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, dhe i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin transatlantik të vlerave të demokracisë liberale”, tha Kurti para deputetëve.