Vendosni fjalën kyçe....

RASTET – Arrestimi i Joana Duros dhe standardi i dyfishtë i SPAK


Arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë për rastin e dyshuar korrupsioni për lotin e parë të tenderit të supervizimit shfaq edhe një herë tjetër veprimin me dy standarde nga ana e SPAK.

Në njoftimin e publikuar nga SPAK ditën e sotme (lexo këtu) në asnjë rresht nuk përmendet operatori ekonomik dhe akoma më tepër biznesmeni përfitues apo arrestimi i autorit që kreu “korrupsionin aktiv” që i dha paratë e gjetura pre 330 mijë lekësh në zyrën e Joana Duros.

Janë disa raste ku me shembullin më të fundit tregohet përdorimi i standardit të dyfishtë nga ana e SPAK.  

Më i bujshmi është ai i koncesionit të inceneratorëve ku u shpallën në kërkim administratorët e inceneratorëve, biznesmenët që qëndronin pas tyre por edhe disa kompani që kishin kryer punime apo thjesht kishin lëshuar fatura për impiantet e trajtimit dhe djegies së mbetjeve.

Një tjetër rast i ngjashëm është edhe arrestimi i Fatos Tushes ish-kryebashkiak i Lushnjës për një tender për kanalin ujitës. Edhe në këtë rast SPAK arrestoi biznesmenin që kishte përfituar tenderin (lexo këtu).

Po ashtu rast tjetër ishte edhe tenderi i uniformave të policisë, ku u arrestuan zyrtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) por nuk u arrestua asnjë nga biznesmenët përfitues të tenderit (lexo këtu).

Këto raste tregojnë më së miri se si SPAK në hetimet e saj përdor dy standarde për të trajtuar të njëjtën vepër penale lidhur me korrupsionin ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë që kanë fuqi për të dhënë apo favorizuar biznese në tenderë./Hashtag.al