Vendosni fjalën kyçe....

Rama: S’ka pasur përgjigje më spektakolare se ajo e 14 majit, s’jemi të kënaqur me rritjen e pagës mesatare


Kryeministri Rama tha se shumica socialiste po bën rritjen më të lartë historike të pagave në vend.

Sipas kreut të qeverisë paga mesatare 900 euro do jetë pjesë e një Shqipërie tjetër.

Rama tha se është rritur numri i turistëve që vizitojnë vendin duke iu referuar rritjes së fluturimeve nga aeroporti i Rinasit si dhe reklamat e mediave të huaja për Shqipërinë.

Gjatë fjalës së tij ai e ironizoi opozitën duke thënë se më 14 maj ka marrë një përgjigje spektakolare.

“Është e kotë fare që sot bëjmë debat e lagu apo nuk e lagu përballë faktit kuptimplotë që kjo shumicë qeverisë po bën rritjen më të lartë historike të pagave dhe kapërcimin e madh të shumëpritur e për të cilin jemi përpjekur dhe kemi duruar jashtëzakonisht shumë përballë befasive e fatkeqësive që s’i kemi sjellë ne. Shqipëria me pagë mesatare 900 euro është Shqipëri tjetër. Këtë Shqipëri tjetër kemi çdo javë muaj e vit që e ndërtojmë. Një Shqipëri tjetër, e cila sot pa asnjë shtysë, pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht, çdo javë në faqet e mediave më ndërkombëtare si destinacioni për t’u vizituar. Shihni çfarë ndodh në aeroportin e Rinasit për të kuptuar çfarë Shqipërie është kjo sot në krahasim me ata dje. Të gjithë ata që vijnë sot janë konsumatorë, s’vijnë me bukë me vete. Në këtë Shqipëri është koha që pagat të zënë vendin që njerëzit meritojnë në këtë fazë. Nuk jemi të kënaqur, nuk ndalon këtu. Nuk ka pasur përgjigje më spektakolare se ajo e 14 majit.” – tha Rama.