Vendosni fjalën kyçe....

Më shumë se gjysma e liqeneve të mëdhenj në botë po thahen, zbulon studimi


Më shumë se gjysma e liqeneve dhe rezervuarëve të mëdhenj në botë janë tkurrur që nga fillimi i viteve 1990, duke rritur shqetësimet rreth furnizimit me ujë për bujqësinë, hidrocentralet dhe konsumin njerëzor, zbuloi një studim i publikuar të enjten.

Një ekip studiuesish ndërkombëtarë raportoi se disa nga burimet më të rëndësishme të ujërave të ëmbla në botë – nga Deti Kaspik që ndodhet mes Evropës dhe Azisë deri në liqenin Titicaca të Amerikës së Jugut – humbën ujë me një normë kumulative prej rreth 22 gigatonësh në vit për gati tre dekada. Ky është rreth 17 herë vëllimi i Liqenit Mead, rezervuari më i madh i Shteteve të Bashkuara.

Fangfang Yao, një hidrolog sipërfaqësor në Universitetin e Virxhinias, i cili drejtoi studimin në revistën ‘Science’, tha se 56% e rënies së liqeneve natyrore ishte shkaktuar nga ngrohja e klimës dhe konsumi njerëzor, me ngrohjen që mban ‘pjesën më të madhe të kësaj’.

Shkencëtarët e klimës në përgjithësi mendojnë se zonat e thata të botës do bëhen më të thata nën ndryshimin e klimës dhe zonat e lagështa do kenë edhe më shumë lagështirë, por studimi zbuloi humbje të konsiderueshme të ujit edhe në rajonet me lagështi, shkruan Reuters.

“Kjo nuk duhet anashkaluar,” tha Yao.

Shkencëtarët vlerësuan pothuajse 2000 liqene të mëdhenj duke përdorur matje satelitore të kombinuara me modelet klimatike dhe hidrologjike.

Ata zbuluan se përdorimi i paqëndrueshëm i njeriut, ndryshimet në reshjet dhe rrjedhjet, sedimentimi dhe rritja e temperaturave kanë ulur nivelet e liqeneve në nivel global, me 53% të liqeneve që tregojnë një rënie nga viti 1992 në 2020.

Rreth 2 miliardë njerëz, të cilët jetojnë në një pellg liqeni në tharje, janë prekur drejtpërdrejt dhe shumë rajone janë përballur me mungesa në vitet e fundit.

Shkencëtarët dhe aktivistët kanë thënë prej kohësh se është e nevojshme të parandalohet ngrohja globale përtej 1.5 gradë Celisus për të shmangur pasojat më katastrofike të ndryshimit të klimës. Bota aktualisht po ngrohet me një normë prej rreth 1.1C.

Studimi i së enjtes zbuloi se përdorimi i paqëndrueshëm i njeriut thau liqenet, si Deti Aral në Azinë Qendrore dhe Deti i Vdekur në Lindjen e Mesme, ndërsa liqenet në Afganistan, Egjipt dhe Mongoli u goditën nga rritja e temperaturave, të cilat mund të rrisin humbjen e ujit në atmosferë.

Nivelet e ujit u rritën në një të katërtën e liqeneve, shpesh si rezultat i ndërtimit të digave në zona të largëta si Rrafshnalta e Brendshme Tibetiane.