Vendosni fjalën kyçe....

Marina kolumbiane kap nëndetësen me të madhe të përdorur për trafik droge


Marina kolumbiane ka sekuestruar nëndetësen më të madhe ndonjëherë të improvizuar për kontrabandimin e drogës.

Kjo është nëndetësja më e madhe e zbuluar ndonjëherë në historinë e vendit, 30 metra e gjatë dhe 4 e gjerë, brenda së cilës u gjetën 3 ton kokainë.

Nëndetësja u zbulua teksa po lundronte drejt Amerikës Qendrore, duke përshkruar një nga rrugët më të përdorura të trafikut të drogës në tregun amerikan, konsumatori më i madh në botë i kokainës kolumbiane.

Në fotot e publikuara nga autoritetet kolumbiane, shihet varka në ujë dhe ngarkesa me drogë e shkarkuar pranë portit.

Qindra pako droge janë me mbishkrimin “Toyota” (trafikantëve u pëlqen të vendosin emra të firmave, shpesh të markave të njohura botërore).

Ndërkohë mësohet se 3 persona kanë rënë në prangat e policisë.

Kjo është nëndetësja më e madhe e kapur ndonjëherë me drogë. Në 3 dekada marina kolumbiane ka sekuestruar 228 anije të tilla të improvizuara, të cilat nisen të ngarkuara me tonelata droge përmes Paqësorit në SHBA dhe ndonjëherë edhe përtej Atlantikut për në Evropë.

Tre kolumbianët e arrestuar thanë se “u detyruan nga një organizatë e trafikut të drogës të hipnin dhe të drejtonin nëndetësen për në Amerikën Qendrore”.