Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri australian ‘i inatosur’ për burgosjen e vazhdueshme të Julian Assange


Kryeministri australian Anthony Albanese ka deklaruar se mbajtja pas hekurave e themeluesit të Wikileaks Julian Assange nuk i shërben asgjëje.

Ai pretendoi se po punon në prapaskenë me Uashingtonin për të gjetur një zgjidhje për rastin, por e përshkroi procesin si ‘zhgënjyes’.

“Kjo duhet të arrijë në një përfundim,” i tha Albanese televizionit ABC të Australisë nga Londra të enjten. “Megjithatë duhet punuar. Ne po punojmë përmes kanaleve diplomatike, po e bëjmë shumë të qartë se cili është pozicioni ynë për rastin e zotit Assange”.

Assange, një shtetas australian, u arrestua në Londër në vitin 2019 pasi Ekuadori ia hoqi statusin e azilit dhe lejoi oficerët e policisë ta largonin atë nga ambasada e vendit në kryeqytetin britanik.

Ai aktualisht mbahet në burgun Belmarsh, ku ekipi i tij ligjor po lufton kundër ekstradimit të tij në SHBA. Autoritetet amerikane kanë akuzuar Assange me 17 akuza në bazë të Aktit të Spiunazhit, i cili potencialisht mund të sjellë dënimin me vdekje.

Akuzat rrjedhin nga publikimi i tij i materialeve të klasifikuara të siguruara nga sinjalizuesit. Më e spikatura mes tyre ishte Chelsea Manning, e cila në vitin 2010 i dha WikiLeaks-it materiale të klasifikuara që pretendonin për krime lufte të SHBA-së në Irak dhe Afganistan. Megjithëse Assange nuk i ka hakeruar personalisht këto materiale, ai u akuzua sërish për rolin e tij në publikimin e tyre.

Albanese ka dënuar vazhdimisht ndalimin e Assange, por ka hedhur poshtë kërkesat e familjes së gazetarit për ta bërë çështjen e ekstradimit ‘të panegociueshme’ me SHBA-në.

Ai nuk pranoi të thoshte të enjten nëse do e diskutonte këtë temë me Presidentin e SHBA-së Joe Biden gjatë një takimi të liderëve të ‘Quad’ në Australi muajin e ardhshëm, duke shpjeguar se ‘mënyra se si funksionon diplomacia ndoshta nuk është të parashikosh diskutimet që do keni ose jo me udhëheqës të kombeve të tjera’.

“E di që është zhgënjyese. Unë ndaj të njëjtin zhgënjim. Nuk mund të bëj më shumë se sa ta bëj shumë të qartë se cili është pozicioni im”, tha ai për ABC.

Ekstradimi i Assange u miratua verën e kaluar nga Sekretarja e atëhershme e Brendshme Priti Patel. Megjithatë, avokatët e themeluesit të WikiLeaks aktualisht po apelojnë atë vendim, duke argumentuar se shëndeti dhe gjendja e tij mendore po përkeqësohen dhe ekstradimi i tij në një burg të sigurisë maksimale në SHBA do ishte njësoj me torturën.