Vendosni fjalën kyçe....

OPEC+ thotë se do ulë më tej prodhimin e naftës


Disa anëtarë të grupit OPEC+, përfshirë Arabinë Saudite dhe Rusinë, dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës të kartelit, kanë filluar të ulin prodhimin e papërpunuar. Uljet, do fillojnë nga maji dhe do zgjasin deri në fund të vitit 2023 e pritet të mbështesin çmimet globale të naftës.

Në veçanti, Arabia Saudite dhe Iraku kanë filluar të pakësojnë prodhimin e naftës përkatësisht me 500,000 fuçi në ditë (bpd) dhe 211,000 bpd. Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Kazakistani po ulin prodhimin e naftës përkatësisht me 144,000 bpd, 128,000 bpd dhe 78,000 bpd.

Algjeria dhe Omani i janë bashkuar gjithashtu pakësimit vullnetar të prodhimit, me të parën duke ulur prodhimin e naftës së papërpunuar me 48,000 bpd dhe të dytin me 40,000 bpd. Gaboni do shohë pakësimin e prodhimit të tij me 8,000 fuçi në ditë.

Në fillim të këtij viti, zëvendëskryeministri rus Alexander Novak tha se prodhuesit rusë do zgjasin një pakësim vullnetar të prodhimit të naftës prej 500,000 bpd nga niveli mesatar i shkurtit deri në fund të vitit aktual.

Rënia e përgjithshme e prodhimit të naftës pritet të arrijë në 1.66 milionë fuçi në ditë. Shkurtimet e prodhimit synojnë të mbështesin çmimet e naftës, të cilat kishin rënë me më shumë se 20% në dymbëdhjetë muajt deri më 5 prill. Masa pritet gjithashtu të zbusë ndikimin në çmimet e naftës së papërpunuar të një ekonomie të ngadaltë globale dhe të pasojave nga kriza bankare në SHBA.

Vendimi i fundit erdhi si një hap shtesë ndaj marrëveshjeve për të pakësuar kolektivisht prodhimin e naftës me dy milionë fuçi në ditë, që hyri në fuqi në nëntor 2022 dhe erdhi si pjesë e marrëveshjes së OPEC+.