Vendosni fjalën kyçe....

Deklasifikohet shkresa sekrete, babai i Çlirim Gjatës, spiun i UDB-së e ish Sigurimit të Shtetit, Berisha e emëroi në Kushtetuese


Kuvendi i Shqipërisë ka deklasifikuar pas 25 vitesh dokumentimin e seancës plenare të 14 marsit 1998, me objekt shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata, babai i Çlirim Gjatës, ish kandidat për deputet i Partisë Demokratike. Në hyrje të procesverbalit të seancës me dyer të mbyllura, mbajtur sekret për 25 vite, thuhet se Rustem Gjata, i emëruar nga PD-ja e Sali Berishës anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kishte qenë bashkëpunëtor vullnetar i ish Sigurimit të Shtetit, fakt që provohej nga dy relacione të shkruara dhe të firmosura nga Gjata, ku raportonte kundër shokëve të tij kosovarë, shumica njerëz të shkencës dhe kulturës.

Jo vetëm kaq. Por, në procesverbal thuhet se në arkivin e SHIK-ut, gjendej edhe një dosje që e komprometonte Rustem Gjatën si agjent i dyshuar si UDB-së jugosllave, dosje e cila është hapur në 23 tetor 1958. Dokumentacioni për Rustem Gjatën është gjetur nga Komisioni i Verifikimit të Figurave, kryesuar në atë kohë nga Nazif Bezhani. Pas referimit të dokumenteve tepër sekrete në Kuvend, organet e Kuvendit janë vënë në lëvizje për të shkarkuar Gjatën, pasi po ushtronte detyrën në kundërshtim me ligjin. Në këtë seancë, pas diskutimeve, Rustem Gjata është shkarkuar si anëtar dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese me 80 vota pro dhe asnjë kundra.

Rustem Gjata është thirrur në seancë për të mbajtur qëndrimin e tij, por nuk është paraqitur. Në seancë është thirrur Nazif Bezhani, i cili u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Mes të tjerave, Bezhani ka pohuar se “… në ato materiale që kamë parë unë, tregojnë se z. Gjata nuk ka qenë në marrëdhënie juridiko-institucionale, nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me Sigurimin, nuk ka pasur deklarata, nuk ka pasur skeda për veprimtarinë e tij, por ka dashur të japë llogari për të gjithë kosovarët që vinin në Shqipëri. Prandaj dikujt që tha këtu se Millosheviçi dënon andej, ne këtej, do t’i thosha që i ka dënuar ai vetë kosovarët, jo veve, Kështu është. Domethënë ai s’ka lënë kosovar që ka ardhur në Shqipëri pa raportuar…Unë mendoj që këtu kemi të bëjmë me probleme tepër serioze, kështu që një njeri i tillë nuk mund të drejtojë një nga pushtetet dhe aq më tepër të jetë në krye të piramidës së drejtësisë shqiptare…”.

Pas zbulimit të dokumenteve, RD-ja, organi mediatik zyrtar i Partisë Demokratike, nisi sulmet ndaj Nazif Bezhanit. “Është thënë edhe për mua që ‘ju vetë jeni spiun;. Unë do ta ftoja të vinte ne gjyq. Mundet që ju ta keni nxitur RD-në që ka shkruar për mua spiun”, thotë Bezhani në seancën me dyer të mbyllura. Më vonë, segmente politike të të gjitha krahëve u bashkuan dhe vendosjen goditjen dhe shkrirjen e Komisionit për Verifikimin e Figurave.

Ndërkaq, Rustem Gjata, në 4 shtator të vitit 1973, ka dënuar me vdekje priftin shkodran Hil Gjergj Gjoni, me akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Sipas Rustem Gjatës, prifti Hil Gjoni kishte sharë udhëheqësit e partisë, urrente regjimin, kryente rite fetare dhe donte Papën e Vatikanit.

Sali Berisha e kandidoi fillimisht Rustem Gjatën si deputet i Partisë Demokratike, më pas anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe më pas kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Sali Berishës nuk i interesonte shumë nëse ishe spiun apo xhelat i regjimit, mjafton t’i shërbente atij dhe pushtetit të tij, madje sigurimsat dhe xhelatët ishin më të dobishëm për Berishën, pasi i mbante më lehtësisht në rresht, për shkak se mund t’i shantazhonte.

Pasi kishte çuar priftin në botën tjetër, Rustem Gjata u shfaq në Kuvendin e parë pluralist në vitin 1992, si deputet i Partisë Demokratike, madje mjaft aktiv. Në pesë maj 1992, Partia Demokratike e propozoi Rusten Gjatën si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Më pas Rustem Gjata do të zgjidhej kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kur u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata ishte deputet i Partisë Demokratike si dhe ishte angazhuar në hartimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si anëtar i Komisionit të Ligjeve. Tashmë Sali Berisha do të vendoste në krye të drejtësisë njeriun që kishte dënuan me vdekje priftin Hil Gjergj Gjoni dhe që kishte spiunuar kosovar, ndërkohë që nëpër podiume Berisha hidhte akuza ndaj xhelatëve të diktaturës për llogari të pushtetit si dhe ‘qante’ për Kosovën.

Procesverbali i seancës së Kuvendit i deklasifikuar pas 25 vitesh

 

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Shqiptarja.com