Vendosni fjalën kyçe....

Nisma Thurje takim me qytetarët në Tiranë, paraqet prioritetet e programit


Nisma Thurje ka zhvilluar një takim me qytetarët tiranas në zonën e Pazarit të Ri. Gjatë takimit, drejtuesit e saj Endri Shabani e Pano Soko prezantuan idetë dhe planin e Nismës Thurje për kryeqytetin, që garon për Këshillin Bashkiak.

Ata theksuan administrimin e tregjeve ushqimore, ku duhet t’u jepet prioritet fermerëve të zonës. Lidhur me transportin publik, kreu i Nismës Thurje Shabani tha se duhen anuluar koncesionet në transportin urban e të ngrihet një transport publik i unifikuar sipas modelit gjerman ku synimi nuk duhet të jetë fitimi por shpejtësia e efikasiteti.

Ndërsa Pano Soko, tha se kur Nisma Thurje të jetë në Këshillin Bashkiak do propozojë një program që do u mundësojë fëmijëve në shkollat publike që të merren me veprimtari rekreative deri pasdite, kur prindërit e tyre të kthehen nga puna. Ai e vuri gjithashtu theksin te rritja e cilësisë së shërbimit në sistemin arsimor publik.