Vendosni fjalën kyçe....

Meta ironizon nga Pogradeci: Shpenzimet e fushatës do i përballojmë me denoncimin që ka bërë Monika


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ironizuar sot nga Pogradeci, deklaratat e Alibeajt dhe Veliajt, në lidhje me gjetjen e parave për financimin e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Meta  me nota ironie falenderoi deputeten e PL-së, Monika Kryemadhi për padinë e saj penale ndaj “TCH”, duke u shprehur se dëmshpërblimi që do fitojnë do i ndihmojë për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të fushatës.

Mes të tjerash ai shtoi se përfaqësuesit e mazhorancës nuk dalin dot në rrugë të takohen me qytetarët e thjeshtë sepse frikësohen nga këta të fundit.

“Lidhur me këto përralla ata e kanë marrë përgjigjien dhe do e marrin gjithmonë. Falenderoj Monikën që ka bërë denoncimin se në këtë mënyrë do na ndihmojë të përballojmë një pjesë të shpenzimeve. Ata takojnë një herë policinë bashkiake me uniformë dhe më pas policinë bashkiake pa uniformë. Këto janë sondazhet e tyre. Nuk guxojnë dot të dalin në rrugë të takojnë njerëzit”-tha Meta.

Në mbyllje të takimit, ai u shpreh i sigurt për fitoren e kandidatëve të tij dhe të Berishës në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Kujtojmë se në 18 prill, Monika Kryemadhi depozitoi kallëzim penal ndaj “TCH’ për lajmet e publikuara ku pretendohet se deputetja ka përfituar financime nga oligarkë rusë. Ajo deklaroi për mediat se ka kërkuar 400 mijë euro dëmshpërblim për akuzat të cilat sipas saj janë falsifikuar nga televizioni në fjalë.