Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli tërheq ambasadorin e tij në Spanjë “për një kohë të pacaktuar” pas deklaratave të Sanchez


Kriza diplomatike mes Izraelit dhe Spanjës u përshkallëzua të enjten kur ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen, tërhoqi për konsultime ambasadoren e tij në Madrid, Rodica Radian-Gordon.

Ky vendim do të thotë se misioni diplomatik në Spanjë do të mbetet bosh për një kohë të pacaktuar.

Vetë Cohen njoftoi vendimin në X: “Pas fjalëve të egra të kryeministrit spanjoll, i cili përsërit akuza të pabaza, kam vendosur të thërras ambasadorin e Izraelit në Spanjë për t’u kthyer në Jerusalem për konsultime”.

“Izraeli po vepron dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ne do të vazhdojmë luftën deri në lirimin e të gjithë të rrëmbyerve dhe eliminimin e Hamasit në Gaza”.

Ka vetëm një faktor përgjegjës për masakrën e 7 tetorit dhe situatën në Gaza sot, dhe ai është organizata terroriste Hamas, e cila po kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër qytetarëve të Izraelit dhe banorëve të Rripit të Gazës“.

Tërheqja e një ambasadori për konsultime është një nga paralajmërimet më të ashpra në diplomaci dhe hapi i fundit para ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike.

Kjo vjen pasi kryeministri i saporizgjedhur i Spanjës, Pedro Sánchez, dënoi sulmet terroriste të Hamasit, por kritikoi ofensivën e Izraelit në Gaza dhe nivelin e shkatërrimit në enklavë, gjatë një paraqitje televizive të enjten, shkruan Euronews.

“Me imazhet që po shohim dhe numrin në rritje, veçanërisht të fëmijëve, që po vdesin, kam dyshime të vërteta se (Izraeli) po respekton ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Sanchez.

“Ajo që po shohim në Gaza është e papranueshme,” shtoi ai, duke pohuar se marrëdhëniet midis Spanjës dhe Izraelit janë “korrekte” dhe se “vendet mike gjithashtu duhet t’i tregojnë njëri-tjetrit gjërat që janë të vërteta”.

Qortimi diplomatik

Pas këtyre deklaratave, Izraeli ka thirrur për një “qortim” të dytë edhe ambasadoren spanjolle në Tel Aviv, Ana Sálomon Pérez.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu udhëzoin “Ministrin e Jashtëm Eli Cohen të thërrasë ambasadoren spanjolle në Izrael për ta qortuar atë pas komenteve të turpshme të kryeministrit spanjoll”.

Kriza mes dy vendeve filloi një javë më parë kur Sanchez kritikoi numrin e lartë të vdekjeve në Gaza dhe i bëri thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, ai qëndroi i palëkundur në propozimin e Spanjës për të njohur një shtet palestinez, duke paralajmëruar se nëse BE-ja nuk bie dakord, Spanja “do të merrte vendimet e veta”.

E gjithë kjo u vlerësua nga Hamasi, i cili mirëpriti “qëndrimin e qartë dhe të guximshëm të Sanchez”, një reagim që shkaktoi shqetësim në Izrael, i cili argumentoi se fjalët e kryeministrit spanjoll përbënin “mbështetje për terrorizmin”.