Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehet ‘Shtegu i Gjelbër’, Veliaj: Do shtojmë më shumë korsi për biçikletat


“Shtegu i gjelbër”, një event i kthyer në traditë tanimë, rikthehet me edicionin e tij të gjashtë.

Mbi 100 çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë e itinerarit çiklistik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot është dhjetëfishuar numri i atyre që përdorin biçikletat, duke ulur kështu edhe trafikun në kryeqytet.

“Fakti që çdo vit ka më shumë njerëz që i japin biçikletës dhe promovojmë më shumë Tiranën, besoj se ky komunitet është një nga komunitetet më të forta, i cili i ka mbijetuar kohës kur s’kishte korsi biçikletash, që biçikleta quhej diçka periferike, ku çiklisti ‘bullizohej’ makinat e mëdha. Sot jemi në një situatë krejt tjetër: vetëm fakti që është dhjetëfishuar numri i atyre që përdorin biçikletat, çka ka ulur trafikun, që korsitë janë të mbrojtura, jo vetëm për të bërë një vijë në rrugë, por për t’u siguruar që edhe një vajzë, një zonjë, të ndihet e sigurt me infrastrukturën. Kjo do të thotë që kemi bërë diçka të mirë”, tha Veliaj.

Veliaj tha se kjo garë është një mënyrë për të promovuar disa zona që nuk janë në qendër të Tiranës, por që kanë shumë nevojë për këtë lloj solidariteti, duke premtuar se do bëjë edhe më shumë punë për shtimin e sa më shumë korsive të biçikletave.

“E di që në kohë fushate, demokracia i ka këto, biem dakord që të mos biem dakord, por nuk ka shans që Tirana të heqë korsitë e biçikletave sepse nuk mund të themi në të njëjtën kohë me gojë: edhe e duam Shqipërinë si jashtë shtetit, edhe e duam perëndimore, por edhe s’duam korsi biçikletash. Unë besoj se biçikleta, korsitë e biçikletave, demokracia e rrugës, është ndoshta gjëja e parë perëndimore që bie në sy në Tiranë. Do bëjmë më shumë. Kjo garë është një mënyrë për të promovuar disa zona që nuk janë në qendër të Tiranës, por që kanë shumë nevojë për këtë lloj solidariteti. Sot patriotizmi nuk është të marrësh pistoletën dhe pushkën të shkosh në male; sot patriotizëm është që të promovojmë Baldushkun, të lëmë ca financa aty, sepse me to paguhen disa libra apo blihet një biçikletë”, tha Veliaj.

Në Tiranë janë përfunduar shënjimet e 50 shtigjeve të gjelbra në hartë, që të drejtojnë në pikat me turistike si Krrabë, Zallherr, Baldushk, Petrelë, Vaqarr Kashar etj., dhe kështu krijohet mundesia alternative e lëvizjes turistike dhe sportive.