Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Piramida përfundon në fillim të majit, në shtator presim të rinjtë


Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj ka pohuar sot se piramida do jetë gati nga ana infrastrukturore në fillim të majit ndërsa në shtator do presë të rinjtë që duan të ndjekin pasionet në fushat e teknologjisë.

Veliaj ishte i ftuar në emisionin ‘Wake Up’ në Top Channel ku theksoi se piramida e shndërruar do jetë një mundësi e madhe për të gjithë të rinjtë që duan të aftësohen në profesionet e së ardhmes.

Kryebashkiaku tha gjithashtu se ambicia është që në mjediset e reja të ketë më shumë se 5 mijë fëmijë  që mësojnë e aftesohen.

“TUMO do transferohet tek Piramida. Ne kemi një interes që djemtë dhe vajzat që mësojnë kodim, mësojnë radio, audio, video, montazh, film, scratch, java, python, realiteti virtual. Po jetojmë në botën e inteligjencës artificiale, e të robotikës, megatronikës. Kështu që ne duam që edhe ekosistemi aty, të jetë jo vetëm për të mësuar, por edhe për të bërë praktikën. Ne besojmë që në fund të prillit, në fillim të majit do kemi mbaruar me pjesën e infrastrukturës. Tani po vlon puna. Nëse në fund të prillit, në fillim të majit ne mbarojmë pjesën e infrastrukturës, shfrytëzojmë gjithë pjesën e verës për të bërë gjithë këto kompjuterë, kabllo, internet, pajisje të ndryshme elektronike, besojmë që me hapjen e vitit të ri shkollor, mund të fillojmë paralelisht sepse edhe nxënësit largohen për pushime. Unë them që shtatori i këtij viti na gjen me kapacitet të plotë dhe ambicia është të dyfishohemi, nëse tani kemi 2000-2500 fëmijë, të shkojmë në 5 mijë fëmijë dhe unë besoj që këto janë punët e së ardhmes”, tha Veliaj.