Vendosni fjalën kyçe....

Deklaratat e Macron në Kinë, Senatori amerikan paralajmëron evropianët


Aleatët evropianoperëndimorë të Amerikës mund të përfundojnë që të duhet ta zgjidhin vetë konfliktin e Ukrainës nëse nuk dëshirojnë të ‘zgjedhin anë’ në ngecjen e Uashingtonit me Kinën, ka paralajmëruar senatori amerikan Marco Rubio.

Republikani nga Florida kritikoi ashpër presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ka argumentuar se shtetet evropiane nuk duhet të rrezikojnë të tërhiqen në një konfrontim me Kinën për Tajvanin.

“Pyetja që evropianët duhet t’i përgjigjen…a është në interesin tonë të përshpejtojmë një krizë në Tajvan? Jo”, u tha Macron gazetarëve, pasi përfundoi udhëtimin e tij treditor në Kinë.

“Gjëja më e keqe do të ishte të mendosh se ne evropianët duhet të bëhemi ndjekës në këtë temë dhe të marrim udhëzimet nga axhenda e SHBA-së dhe një reagim i tepruar kinez”, shtoi Macron.

Rubio u përgjigj me një video në Twitter.

“Ky është çasti që të pyesim Evropën: A flet Macron në emërtë gjithë Evropës? A është Macron tani kreu i Evropës?” tha ai.

“Sepse nëse ai është, atëherë ka disa gjëra që ne do të duhet t’i ndryshojmë.”

Politikani pohoi se Kina ishte ‘shumë e emocionuar’ për komentet e Macron. Rubio argumentoi se vendet evropiane mbështeten ende në aftësitë mbrojtëse të Uashingtonit, ndërsa ‘ne po shpenzojmë shumë nga paratë e taksapaguesve tanë për një luftë evropiane në Ukrainë’.