Vendosni fjalën kyçe....

Tomorri: Bechetti po mban 90 milionë euro të bllokuara të Albcontrol


Gazetari Klodian Tomorri deklaroi në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se biznesmeni italian Francesco Becchetti po mban të bllokuara në Bruksel 90 milionë euro të Albcontrol-it.

Tomori shtjelloi më tej se nëse do të ketë një vendim të Apelit që i jep sërish të drejtë biznesmenit, atëherë paratë do të konfiskohen dhe vendimi do të ekzekutohet automatikisht.

Tomorri u shprehse në total gjoba kap shifrën 110 milionë euro, plus interesat, pasi këto të fundit rriten nga muaji në muaj kur gjoba nuk paguhet në kohë.

Gazetari tha se Albcontrol nuk mund t’i përdorë paratë e bllokuara, dhe u zhyt në krizë, çka detyroi qeverinë që t’i japë 20 milionë dollarë për vazhdimin e aktivitetit.

“Pas vendimit të formës së prerë që u dha në prill 2019, ka pasur dy tentativa të qeverisë për ta përmbysur. E para ishte rihapja e procesit për anulimin e vendimit. Tentativa e dytë ishte që u hap procesi për rishikimin e vendimit. I pari ishte për anulimin fare të gjobës, i dyti për rishikimin e vendimit, për rishikim të shifrës. Ky proces që përfundoi në 29 mars ishte për rishikimin e gjobës, ku gjykata ka lënë në fuqi gjobën 110 milionë euro plus interesat, sepse rritet nga muaji në muaj që nuk paguhet. Arbitrazhi ka përfunduar, vendimi është i formës së prerë. Tani beteja zhvendoset te ekzekutimi i vendimit. Biznesmeni italian kërkon që gjobën të ekzekutojë.  Ka një proces në Gjykatën  e Apelit në Bruksel, sepse pasi fitoi në Arbitrazh,  Becchetti shkoi në një gjykatë dhe kërkoi ekzekutimin e vendimit. Ekzekutimi s’ka marrë formë të prerë pasi çështja ka shkuar në Apel.

Becchetti ka bllokuar paratë e Albcontrol-it në Eurocontrol, paratë që paguajnë kompanitë ajrore për hapësirën ajrore të Shqipërisë. Çdo avion paguan një tarifë të caktuar. Paratë paguhen nga linjat në Eurocontrol dhe Eurocontrol-i ia shpërndan Albcontrolit në rastin e Shqipërisë. Deri më tani qeveria ka qenë hermetike. Informacionet e fundit thonë që paratë e Albcontrolit që janë bllokuar kanë arritur në 90 milionë euro. Albcontrol s’mund t’i marrë dhe t’i përdorë për nevojat e veta. U zhyt në krizë sepse nuk përdorte dot këto para, qeveria u detyrua t’i japë gati 20 milionë dollarë para nga buxheti që kompania të vazhdonte aktivitetin e saj.

Sipas informacioneve të fundit, që s’janë konfirmuar zyrtarisht sepse qeveria ka qenë hermetike, sot Becchetti mban të bllokuara 90 milionë euro para të qytetarëve shqiptarë dhe Albcontrolin, në Bruksel, dhe pret vendimin e Apelit për t’i ekzekutuar ato. Nëse Gjykata e Apelit në Bruksel lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ekzekutimi është automatik, dhe nuk shoh se si qeveria mund ta ndalojë. Që nga janari 2020, çdo e ardhur që fiton Shqipëria nga hapësira ajrore mbetet e bllokuar nga Eurocontrol për llogari të Becchettit. Nëse Apeli lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, 90 milionë euro konfiskohen, nëse sot janë të bllokuara. Se çfarë strategjie ka kryeministri ne nuk e dimë, por qeveria ka humbur në të gjitha shkallët”-deklaroi Tomorri.