Vendosni fjalën kyçe....

Trump deklarohet i pafajshëm për 34 akuzat e prokurorisë


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është deklaruar i pafajshëm lidhur me 34 akuza për vepra penale për falsifikim të regjistrave biznesorë, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut të martën, 4 prill.

Ai është formalisht nën arrest që nga arritja në gjykatë. Para se të hynte brenda ndërtesës së gjykatës, ai i përshëndeti përkrahësit e tij, të grumbulluar aty pranë.

Akuzat u ngritën pas një hetimi lidhur me një pagesë që ai dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për ta blerë heshtjen e saj për një aferë të supozuar.

Së bashku, këto akuza mbartin një dënim maksimal prej 136 vjet burgim, sipas ligjit të Nju Jorkut. Por, nëse ai dënohet në një gjyq, dënimi raportohet se do të ishte shumë më i vogël se kaq, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Pagesa besohet se është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë përbën shkelje në Nju Jork.