Vendosni fjalën kyçe....

Kriza bankare i rri mbi kokë ekonomisë, duke rindezur frikën e recesionit – New York Times


Huamarrja mund të bëhet më e vështirë, një goditje e veçantë për bizneset e vogla dhe një kërcënim për fuqinë qëndruese të rimëkëmbjes.

Nga Ben Casselman

Rimëkëmbja ekonomike e SHBA-së ka kundërshtuar vazhdimisht parashikimet e një recesioni të afërt, duke përballuar ngarkesën e zinxhirit të furnizimit, mungesat e fuqisë punëtore, konfliktet globale dhe rritjen më të shpejtë të normave të interesit në dekada.

Ky elsaticitet tani përballet me një provë të re: një krizë bankare që, disa herë gjatë javës së kaluar, dukej e gatshme të shndërrohej në një shkrirje financiare të plotë pasi çmimet e naftës ranë dhe investitorët derdhën para në borxhin e qeverisë amerikane dhe aktive të tjera të perceptuara si të sigurta.

Tregjet u qetësuan disi deri në fund të javës mes shpresave se veprimet e shpejta nga liderët në Uashington dhe në Ëall Street do e përmbanin krizënnë bankat e vogla dhe të mesme ku filloi.

Por edhe nëse kjo do ndodhte – dhe veteranët e krizave të mëparshme paralajmëruan se ishte një ‘nëse’ e madhe – ekonomistët thanë se episodi në mënyrë të pashmangshme do ndikonte në punësimin dhe investimet pasi bankat u tërhoqën nga huadhënia dhe bizneset luftuan për të marrë hua si rezultat i kësaj. Disa parashikues thanë se trazirat tashmë e kishin bërë një recesion të mundshëm.

“Do ketë pasoja të vërteta dhe të qëndrueshme ekonomike nga kjo, edhe nëse i gjithë i gjithë pluhuri i ngritur arrin të pastrohet.” – tha Jay Bryson, kryeekonomist në Ëells Fargo.

“Unë do rris mundësinë e një recesioni duke pasur parasysh atë që ka ndodhur javën e fundit.”

Së paku, kriza ka ndërlikuar detyrën tashmë delikate me të cilën përballen zyrtarët e Rezervës Federale, të cilët janë përpjekur të ngadalësojnë gradualisht ekonominë në mënyrë që të ulnin inflacionin.

Kjo detyrë është po aq e menjëhershme sa kurrë më parë: të dhënat e qeverisë të martën treguan se çmimet vazhduan të rriteshin me një ritëm të shpejtë në shkurt. Por tani politikëbërësit duhet të përballen me rrezikun se përpjekjet e rezervës Federale për të luftuar inflacionin mund të destabilizojnë sistemin financiar.

Ata nuk kanë shumë kohë për të peshuar mundësitë e tyre: Zyrtarët e Rezervës Federale do mbajnë takimin e radhës të planifikuar rregullisht të martën dhe të mërkurën mes pasigurisë së pazakontë për atë që do bëjnë.

Vetëm 10 ditë më parë, investitorët prisnin që banka qendrore të ripërshpejtonte fushatën e saj të rritjes së normave të interesit në përgjigje të të dhënave ekonomike më të forta se sa pritej. Tani, vëzhguesit e Rezervës Federale po debatojnë nëse takimi do përfundojë me norma të pandryshuara.

Nocioni se rritja e shpejtë e normave të interesit mund të kërcënojë stabilitetin financiar nuk është i ri. Në muajt e fundit, ekonomistët kanë vërejtur shpesh se është për t’u habitur që Rezerva Federale ka qenë në gjendje të rrisë normat kaq shumë, kaq shpejt, pa ndërprerje të rënda në një treg që është mësuar me kostot e huamarrjes.

Ajo që pritej më pak ishte ajo ku u shfaq plasaritja e parë: bankat e vogla dhe të mesme amerikane, në teori, ndër pjesët më të mbikëqyrura nga afër dhe më të rregulluara të sistemit financiar global.

“Isha i befasuar se ku erdhi problemi, por nuk u habita që kishte një problem”, tha në një intervistë Kenneth Rogoff, një profesor i Harvardit dhe studiues kryesor i krizave financiare. Në një ese në fillim të janarit, ai paralajmëroi për rrezikun e një ‘sëmundjeje ngjitëse financiare të afërt’ ndërsa qeveritë dhe bizneset luftojnë për t’u përshtatur me një epokë të normave më të larta të interesit.

Ai tha se nuk priste një përsëritje të vitit 2008, kur kolapsi i tregut të hipotekave në SHBA përfshiu me shpejtësi pothuajse të gjithë sistemin financiar global. Bankat në mbarë botën janë më të kapitalizuara dhe të rregulluara më mirë se sa në atë kohë, dhe vetë ekonomia është më e fortë.

“Zakonisht për të pasur një krizë financiare më sistematike, nevojitet që të rrëzohet më shumë se një domino.” – tha profesori Rogoff.

“Mendoni për normat reale të interesit më të larta si një domino, por ju duhet një tjetër.”

Megjithatë, ai dhe ekspertë të tjerë thanë se ishte alarmante që probleme të tilla të rënda mund të mos zbuloheshin kaq gjatë në Silicon Valley Bank, institucioni i mesëm në Kaliforni, dështimi i të cilit shkaktoi trazirat e fundit. Kjo ngre pyetje në lidhje me kërcënimet e tjera që mund të fshihen, ndoshta në qoshet më pak të rregulluara të financave, siç janë pasuritë e paluajtshme ose kapitali privat.

“Nëse ne nuk e kemi kuptuar këtë, atëherë çfarë ndodh me disa nga këto pjesë të tjera, më të errëta të sistemit financiar?” tha Anil Kashyap, një ekonomist i Universitetit të Çikagos që studion krizat financiare.

Tashmë, ka aludime se kriza mund të mos kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara. Credit Suisse të enjten tha se do marrë hua deri në 54 miliardë dollarë nga Banka Kombëtare Zvicerane pasi investitorët rrëzuan stokun e saj pasi u ngrit frika për shëndetin e saj financiar.

Huadhënësi 166-vjeçar është përballur me një seri të gjatë skandalesh dhe hapash të gabuar dhe problemet e tij nuk lidhen drejtpërdrejt me ato të Silicon Valley Bank dhe institucioneve të tjera amerikane. Por ekonomistët thanë se reagimi i dhunshëm i tregut ishte një shenjë se investitorët po shqetësohen gjithnjë e më shumë për stabilitetin e sistemit më të gjerë.

Trazirat në botën financiare vijnë pikërisht kur rimëkëmbja ekonomike, të paktën në Shtetet e Bashkuara, dukej se po merrte vrull. Shpenzimet konsumatore, të cilat ranë në fund të vitit 2022, u rikuperuan në fillim të këtij viti. Tregu i banesave, i cili ra në vitin 2022 me rritjen e normave të hipotekave, kishte treguar shenja stabilizimi.

Dhe pavarësisht pushimeve nga puna të zyrtarëve të profilit të lartë në kompanitë e mëdha të teknologjisë, rritja e vendeve të punës ka qëndruar e fortë apo edhe e përshpejtuar në muajt e fundit. Në fillim të marsit, parashikuesit po rrisnin vlerësimet e tyre për rritjen ekonomike dhe po zvogëlonin rreziqet e një recesioni, të paktën këtë vit.

Tani, shumë prej tyre po e kthejnë kursin. Z. Bryson, nga Wells Fargo, tha se ai tani e vendos probabilitetin e një recesioni këtë vit në rreth 65 për qind, nga rreth 55 për qind përpara dështimeve të fundit të bankave.

Edhe Goldman Sachs, ndër parashikuesit më optimistë në Ëall Street në muajt e fundit, tha të enjten se mundësitë për një recesion ishin rritur me 10 pikë përqindjeje, në 35 për qind, si rezultat i krizës dhe pasigurisë që rezultoi.

Ndikimi më i menjëhershëm ka të ngjarë të jetë në huadhënie. Bankat e vogla dhe të mesme mund të shtrëngojnë standardet e tyre të kreditimit dhe të lëshojnë më pak kredi, qoftë në një përpjekje vullnetare për të mbështetur financat e tyre ose në përgjigje të një kontrolli të shtuar nga rregullatorët.

Kjo mund të jetë një goditje për zhvilluesit rezidencialë dhe komercialë, prodhuesit dhe bizneset e tjera që mbështeten në borxhe për të financuar operacionet e tyre të përditshme.

Janet L. Yellen, sekretarja e Thesarit, tha të enjten se qeveria federale po ‘mbikëqyrte me shumë kujdes’ shëndetin e sistemit bankar dhe kushtet e kreditimit më gjerësisht.

“Një problem më i përgjithshëm që na shqetëson është mundësia që nëse bankat janë nën stres, ato mund të ngurrojnë të japin hua.” – u tha ajo anëtarëve të Komitetit të Financave të Senatit. Kjo, shtoi ajo, ‘mund ta kthejë këtë në një burim të rrezikut të rëndësishëm ekonomik’.

Kredia më e shtrënguar ka të ngjarë të jetë një sfidë e veçantë për bizneset e vogla, të cilat zakonisht nuk kanë qasje të gatshme në burime të tjera financimi, siç është tregu i borxhit të korporatave, dhe që shpesh mbështeten në marrëdhëniet me bankierët që njohin industrinë e tyre specifike ose komunitetin lokal.

Disa mund të jenë në gjendje të marrin kredi nga bankat e mëdha, të cilat deri më tani janë dukur kryesisht të imunizuara nga problemet me të cilat përballen institucionet më të vogla. Por ata pothuajse me siguri do paguajnë më shumë për ta bërë këtë, dhe shumë biznese mund të mos jenë në gjendje të marrin kredi fare, duke i detyruar ata të shkurtojnë punësimin, investimin dhe shpenzimet.

“Mund të jetë e vështirë të zëvendësohen ato banka të vogla dhe të mesme me burime të tjera kapitali,” tha Michael Feroli, kryeekonomisti amerikan në J.P. Morgan.

“Kjo, nga ana tjetër, mund të pengojë rritjen.”

Rritja më e ngadaltë, natyrisht, është pikërisht ajo që rezerva Federale është përpjekur të arrijë duke rritur normat e interesit – dhe kredia më e shtrënguar është një nga kanalet kryesore përmes të cilave besohet se funksionon politika monetare.

Nëse bizneset dhe konsumatorët tërhiqen nga aktiviteti, ose sepse huamarrja bëhet më e shtrenjtë ose sepse ata janë nervozë për ekonominë, kjo teorikisht mund të ndihmojë Rezervën Federale të sjellë inflacionin nën kontroll.

Por Philipp Schnabl, një ekonomist i Universitetit të Nju Jorkut, i cili ka studiuar problemet e fundit bankare, tha se politikëbërësit ishin përpjekur të frenonin ekonominë duke ulur kërkesën për mallra dhe shërbime.

Përkundrazi, një trazirë financiare mund të rezultojë në një humbje të papritur të qasjes në kredi. Kjo huadhënie më e shtrënguar bankare mund të ndikojë gjithashtu në ofertën e përgjithshme në ekonomi, e cila është e vështirë të trajtohet përmes politikës së Rezervës Federale.

“Ne kemi rritur normat për të ndikuar në kërkesën agregate,” tha ai.

“Tani, mund të kemi këtë krizë kredie, por kjo vjen nga shqetësimet e stabilitetit financiar.”

Megjithatë, ekonomia e SHBA-së ruan burime fuqie që mund të ndihmojnë në zbutjen e goditjeve të fundit. Familjet, në total, kanë kursime të mjaftueshme dhe të ardhura në rritje. Bizneset, pas vitesh fitimesh të forta, kanë relativisht pak borxhe. Dhe pavarësisht nga betejat e kolegëve të tyre më të vegjël, bankat më të mëdha të SHBA-së janë në baza financiare shumë më të forta se sa në vitin 2008.

“Unë ende besoj – jo vetëm shpresoj – se dëmi në ekonominë reale nga kjo do të jetë mjaft i kufizuar,” tha Adam Posen, president i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times