Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim me demokratët në Patos: Lul Brava i “parkut të 4 hajdutëve” shiti selinë për kulla, kurse Kapllani prishi shtëpitë te “5 Maji” për miliona


Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në një takim me demokratët e Patosit në kuadër të 31-vjetorit të themelimit të degës së PD-së atje. 

Gjatë fjalës së tij, Berisha përsëriti akuzat se kryeministri Edi Rama ka marrë peng opozitën, duke tejkaluar edhe Ramiz Alinë në vitin 1991. 

“Sot Edi Rama ka pushtet më shumë se Ramiz Alia në vitin 1991. Kalonim nëpër fshatra, na gjuanin me gurë ish-komunistët, u rrëzua busti dhe morën armët që të sulmonim, por nuk bëri kush përpjekje për të na marrë peng. Ne qëndruam në këmbë të pamposhtur, drejtuam opozitën e vërtetë dhe ecëm drejt fitores. Ndërsa sot Edi Rama tejkalon baballarët e tij bllokmenë, merr peng opozitën me dosje krimi dhe afera korruptive. Kjo është një mynxyrë për vendin. Por kjo është një thirrje ndërgjegjje për çdo demokrat, të ngrihemi në një mision të madh të pamposhtur. Kauza jonë është e drejtë. Dhe do të triumfojë sepse ne besojmë në këtë kauzë. Ne jemi të angazhuar në një revolucion paqësor, të cilin nuk ka forcë në botë që ta ndalë.”– tha Berisha.

Mes të tjerash, Berisha akuzoi Lulzim Bashën se ka shitur selinë e Partisë Demokratike për të ndërtuar kulla shumëkatëshe. 

Më pas ai hodhi akuza edhe ndaj Agron Kapllanajt, duke thënë se ai shembi shtëpinë e banorëve te “5 Maji” për të fituar milionat për vete. 

“Shtrojani pyetjen çdo demokrati, me cilin je ti me Lul Bravën e 4 hajdutëve që ka shitur selinë për të ndërtuar pallate, bashkë me Edi Ramën dhe Erion Veliajn, e për këtë shkak mbyll dyert e nuk lejon demokratët në shtëpinë e tyre. Me cilin je ti, me Pallat Kapllanin që fiton gjatë qeverisjes së PS dhjetëra milionë euro e pastaj vjen e prish shtëpitë e fukarenjve, e njerëzve të varfër në Tiranë, për të ndërtuar pallatin e milionave së bashku me Lulzim Bashën. Këta janë gjakpirës, çdo euro e çdo pasuri e kanë vendosur mbi gjakun, mundin dhe djersën tuaj. Këta janë hajdutë, asgjë më shumë. Çfarë na lidh ne me ta?!

I drejtohem Pallat Kapllanit. Pallat si i fitove ti 32 milionë euro me bashkitë socialiste në këtë periudhë? Sa pagove? Çfarë ryshfeti dhe? E tani do të na hiqesh për demokrat. Ti je një korruptokrat, e je një turp që duhesh të largohesh menjëherë nga PD. Vjen e bëhesh vegël e Lul Bravës. Sigurisht, ka rrezik të ketë marrë ndonjë pallat edhe te parku i 4 hajdutëve.”– u shpreh Berisha.