Vendosni fjalën kyçe....

Ekonomia miraton shtyrjen edhe 2 vjet të koncesionit të pullave, Zv.ministri Kadia: Evituam Arbitrazhin me marrëveshje mirëkuptimi


Ikja e të rinjve zbeh Shën Valentinin, lule po dhurojnë emigrantët; Bien prenotimet në restorante

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi me votat e mazhorancës shtyrjen me 2 vjet të kontratës së koncesionit të pullave fiskale dhe uljen 10% të tarifës.

Zv.ministri i Financave Besart Kadia u shpreh se shtyrja e kontratës u arrit në mirëkuptim me kompaninë koncesionare me qëllim evitimin e Arbitrazhit, për shkak të mosrealizimit të pikës së kontratës për vendosjen e pullave fiskale të farmaceutika. Kadi nënvizoi se vendosja e pullave fiskale te barnat nuk është pranuar 8 vite më parë për shkak të çmimit 5 herë më të lartë që ofroi kompania koncensionare.

Avokatura e Shtetit ka rekomanduar autoritetin kontraktual që paraprakisht të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim evitimin e kushteve që çojnë në zbatimin e kushteve të Nenit 65 të kontratës për zgjidhje të mosmarrëveshjeve nga palët në Gjykatën e Arbitrazhit. Autoriteti kontraktues duhet të ezaurojë çdo mundësi dhe të bëje të gjitha përpjekjet e arsyeshme në bashkëpunim me palën koncensionare për zgjidhjen me mirëkuptim”, u shpreh Kadia duke cituar rekomandimin e Avokaturës së Shtetit.

Kadia shtoi se për këtë element të parealizuar kompania kërkoi shtyrjen e kontratës nga 3 deri në 8 vjet, ndërsa nga shteti u negociua ulja e tarifës së pullës aktuale fiskale që zbatohet te mallrat e akcizës. Nëse çështje do të shkonte në Arbitrazh sipas zv.ministrit shteti do t’i kthente kompanisë 10 mln euro. Të ardhurat e koncensionarit nga pullat fiskale sipas Ministrisë së Financave llogariten nga 900 mln deri në 1 mld lekë në vit.

Në këtë mirëkuptim kompania është ofruar me 3 variante, shtyrje të kontratës me 3, 5 dhe 8 vjet. Kjo ka qenë e paarsyeshme nga pala kontraktuese dhe u la në mirëkuptim në dy opsione shtyrje 12 muaj ose 24 muaj. Në variantin 12 muaj çmimi nuk ulje dhe nuk kryheshin investimet. Me këtë argument u arrit me mirëkuptim ulja 10% e çmimit, që ligjërisht nuk parashikohej në kontratë ulja e saj. Pikërisht ulja e tarifës së pullave ka qenë pjesë e negociatës. Nuk u pranua të ulej më shumë se 10%, ose në të kundërt të mos bëhej shtyrja e kontratës dhe të shkohej në Arbitrazh”.

Deputetët e opozitës votuan kundër shtyrjes së kontratës, pasi siç u shpreh deputeti i PD-së Bujar Leskaj shtyrja e afatit përtej asaj të parashikuar në kontratë është një akt i pastër korruptiv.

Tarifat e rishikuara do nisin zbatimin nga 7 shkurti 2023. Afati i kontratës koncesionare përfundon më datёn 31.12.2024. Gjatë kësaj periudhe, shoqëria koncesionare angazhohet të kryejë një investim që shkon nga 3 deri në 5 milionë euro, sipas skedulimeve që do të detajohen me afate respektive kohore në Bordin e Menaxhimit të Kontratës.

Tarifa e lartë e pullave fiskale është kundërshtuar ashpër nga bizneset e mallrave të akcizës, pasi rëndon kostot prodhuese. Në Shqipëri tarifa e pullave fiskale është 22,4 USD për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati 8 herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë.

Bizneset kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se kontrata koncesionare nuk ka zgjidhur problemin e tregtisë së paligjshme dhe informalitet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor