Vendosni fjalën kyçe....

Turqia arreston deri tani 12 persona lidhur me shembjet e banesave prej tërmetit


 

Policia turke ka arrestuar 12 persona lidhur me ndërtesat e shembura në provincat juglindore të Gaziantep dhe Sanliurfa, njoftuan mediat lokale të shtunën, pas tërmetit të madh që goditi Turqinë.

Ata që u vunë në paraburgim përfshinin kontraktorë, tha agjencia e lajmeve DHA.

Të paktën 6,000 ndërtesa u shembën pasi një tërmet me magnitudë 7.8 goditi rajonin, duke vrarë deri tani më shumë se 25,000 njerëz dhe duke shkaktuar zemërim për cilësinë e dobët të banesave.

Pritet të ketë më shumë ndalime pasi prokurori publik në Dijarbakir, një nga 10 provincat juglindore të prekura nga tërmeti, lëshoi urdhër arresti për 29 persona të shtunën, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve.

Një nga të arrestuarit të shtunën ishte një kontraktor për një ndërtesë në Gaziantep, tha agjencia, duke shtuar se ai u gjet nga policia në Stamboll.

Ka pasur një valë hetimesh të nisura nga prokurorët në provincat e prekura, përfshirë Kahramanmaras, ku rrethi Pazarcik ishte në epiqendrën e tërmetit.

Ministria e Drejtësisë e Turqisë ka urdhëruar prokurorët në 10 provincat të krijojnë “zyra të posaçme për hetimin e krimeve të tërmeteve”.

Të premten, policia turke kapi një kontraktor të një blloku apartamentesh luksoze të larta që u rrëzuan në provincën Hatay.

Ai u ndalua në aeroportin e Stambollit pasi thuhet se u përpoq të largohej nga vendi.