Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e ish-godinave të Qytetit Studenti protestë: Na u hoq bonusi i qirasë, të përfshihemi në programin e rindërtimit


Banorët që jetonin në ish-godinat e Qytetit Studenti, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntor 2019 kanë protestuar para kryeministrisë.

Ata kanë deklaruar se janë shkëputur nga bonusi i qirasë që në datën 27 dhjetor e kanë mbetur në qiell të hapur.

Ata i kërkojnë qeveris që t’i përfshijë në programin e rindërtimit për të përfituar banesat e premtuara nga qeveria.

“A nuk e dinte vallë kryetari i bashkisë kur ne nuk i kishim pronat tona, në nëntor të 2019 u shpreh se është porosi e kryeministrit se do na shohë dhe ne. Ai nuk ishte premtim elektoral, por për atë periudhë fatkeqësie. A kemi të drejtë për t’u ndjerë të pavlerësuar. Ne nuk ishim zaptues, siç na etiketojnë. Kemi qenë qytetarë të rregullt dhe kemi shlyer detyrimet tona. Ne duam të trajtohemi si ata që u prekën nga tërmeti. I bëjmë thirrje kryeministrit që të ndryshojë ligjin dhe të vejë dorën në zemër për ne. Të na bëjë pjesë të rindërtimit.” – tha njëri nga protestuesit, raporton BW.

Ndërkohë një tjetër pohoi se bëhet fjalë për 115 familjarë që kanë mbetur pa shtëpi. Ai theksoi se atyre u janë premtuar banesa të rejha në zonën e ‘5 Majit’  ku po ndërtohen pallate për banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Ne jemi hequr nga program i rindërtimit. Jemi 115 familjarë. Na i kanë premtuar banesat e reja në zonën e 5 Majit. Jemi futur në godina, kur nuk kishte studentë brenda. Nuk jemi zaptues e as uzurpues, por qytetarë të strehuar nga halli. I kemi bërë nga e para vetë të banueshme. Kemi qenë me kontrata të rregullta. Nuk dimë arsyen pse jemi hequr nga programi i rindërtimit. Qiraja ishte simbolike, 13.000 mijë lekë ka qenë. Aktualisht po jetojmë me qira, e cila është e papërballueshme. Ato godina u shkatërruan komplet dhe janë ndërtuar të reja. Ne duam të marrim banesa të reja, pasi dhe çmimet janë rritur shumë. Bonusi i qirasë ka qenë jo i mjaftueshme pasi ka qenë në bazë të pjesëtarëve. Ne jemi detyruar të shtojmë para vetë për të plotësuar qiranë.” – tha një tjetër banor.