Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj deklaroi në emisionin “Revieë” në Euronews Albania se çdo prokuror është i pavarur që të kryejë një hetim në lidhje me 21 janarin, duke iu referuar audiopërgjimit të publikuar, ku ish-komandanti i gardës, Ndrea Prendi komunikonte dhe i jepte urdhra vartësve të tij.
Imeraj u shpreh se kjo mund të realizohet, bazuar në ndryshimet e ndodhura në Kodin e Procedurës Penale.
“Me ndryshimet e ndodhura në Kodin e Procedurës Penale, çdo prokuror është i pavarur. Si i tillë, i lind edhe e drejta një prokurori të pavarur, dje që kur ka dalë audiopërgjimi, që kryesisht të nisë një hetim dhe të thotë që në tërësinë e elementëve të ndodhur në këtë historinë e 21 janarit, ka mbetur pa u hetuar ai zinxhiri.
Nuk është e nevojshme të bëhet gjithë kjo ekspoze. Nuk ka pse t’i prezantohet publikut një drejtësi që mban peng një dosje. Ne nuk mund të themi që edhe në 2023-shin po na mbahen peng dosje”, theksoi ajo.
Sipas saj, nuk ka prokuror në Prokurorinë e Tiranës, që nuk ka vullnet për të hetuar këtë çështje.
“Pse u krijohet një farë terrori edhe atyre prokurorëve që e kanë në dorë çështjen e 21 janarit? Prokuroria është treguar e hapur për ta rifilluar hetimin. Nuk besoj se ka prokuror në Prokurorinë e Tiranës që nuk ka vullnet ta hetojë 21 janarin.
Në fund të ditës, ky është misioni dhe funksioni të cilën kanë marrë përsipër ta kryejnë”, theksoi ajo.