Vendosni fjalën kyçe....

Kompania paditet 1 miliard dollarë për pikturën ‘Sunflowers’ të Van Gogh


Kompania japoneze e sigurimeve Sompo Holdings Inc. ka thënë se do ‘mbrojnë fuqishëm’ pronësinë e saj mbi pikturën e Vincent Van Gogh ‘Sunflowers’ pasi trashëgimtarët e pronarit të saj të mëparshëm ngritën një padi duke kërkuar kthimin e saj.

Vepra e artit, e cila besohet të jetë një nga pesë versionet origjinale të natyrës së famshme të qetë, u ble në vitin 1987 nga paraardhësi i Sompo-s, ‘Yasuda Fire & Marine Insurance’ në një ankand të Christie’s në Londër për një rekord asokohe prej 40 milionë dollarësh. Për 35 vitet e fundit, piktura ka qenë e ekspozuar në Muzeun e Artit Sompo në Tokio.

Megjithatë, familja e pronarit të mëparshëm të pikturës, bankierit hebre Paul von Mendelssohn-Bartholdy (1875-1935), tani pretendon se Sompo e bleu veprën e artit ‘duke shpërfillur në mënyrë të pamatur prejardhjen e saj’.

Në vitin 1934, Mendelssohn-Bartholdy, një bankier i shquar në Gjermani, u detyrua të shiste koleksionin e tij të pikturave, i cili përfshinte gjithashtu vepra nga Pablo Picasso dhe Claude Monet. Kjo ndodhi kur hebrenjtë në Gjermaninë naziste po liroheshin nga pasuritë dhe statusi i tyre shoqëror.

Në padinë, e cila u ngrit në gjykatën federale të SHBA-së në Illinois muajin e kaluar, trashëgimtarët e bankierit pretendojnë se Sompo e ka ‘shfrytëzuar komercialisht’ pikturën dhe e ka përdorur atë për ‘pasurim të pabazë’ duke e ditur se ishte një ‘vepër arti e ndotur nga nazistët’.

Paditësit tani kërkojnë që Sompo të kthejë pikturën ose të paguajë vlerën e saj të drejtë të tregut prej 250 milionë dollarësh. Familja kërkon gjithashtu një pagesë shtesë prej 750 milionë dollarësh si dëmshpërblim dhe 690 milionë dollarë për ‘pasurim të pabazë’.

Në një deklaratë për AFP të martën, Sompo Holdings tha se nuk kishte marrë ende një kopje të ankesës, por tha se ‘kundërshton kategorikisht pretendimet e ankesës për keqbërje’ dhe se ‘do mbrojë fuqishëm të drejtat e saj të pronësisë të pikturës së famshme’.

Familja e Mendelssohn-Bartholdy ka ngritur gjithashtu padi të tjera duke kërkuar kthimin e koleksionit të paraardhësve të tyre. Në vitin 2020, një vizatim i Pikasos iu kthye familjes nga Galeria Kombëtare e Arteve në Uashington DC.