Vendosni fjalën kyçe....

Rikthimi i basteve/ Petrit Vasili: Rama ua rezervoi qytetarëve si dhuratë për festa, të largohet bashkë me drejtorët që i ka transportues droge


Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka komentuar njoftimin e qeverisë për rikthimin e basteve sportive në vend.

Vasili tha se kryeministri Edi Rama ua rezervoi si dhuratë qytetarëve për festa këtë lajm. Ai tregoi para kamerave një moment kur Rama fliste në PArlament dhe thoshte se bastet ishin një dëm shkatërrimtar i ekonomisë së familjeve në vend dhe një burim stresi për qytetarët, por sot kërkon t’i rikthejë.

Gjatë fjalës së tij, Vasili përmendi dhe arrestimin e zyrtares së AKSHI-t që iu gjetën 58 kg kanabis në makinë.

“Ne pyesim se çfarë do ndodhë me këta mijëra të rinj që sipas tij kanë filluar të luajnë bixhoz. Rama ka thënë publikisht që mbi 700 milionë euro qarkullojnë në këtë botë të basteve, që kanë qenë një dëm shkatërrimtar për ekonominë familjare shqiptare. Bastet kanë qenë një burim i stresit i të rinjve dhe familjeve. Njëkohësisht ne dimë që Rama porositi dhe studim për të provuar efektin shkatërrimtar të basteve, ku shkoi ky efekt. na tha që bastet administrohen nga njerëz të inkriminuar, listoi një sërë njerëzish. Na tha që bastet janë një nga burimet e rëndësishme të krimit të organizuar.

Ramës i punon mendja për ligje bastesh, për amnisti fiskale, për të falur Portin e Durrësit, për të bërë inceneratorë e koncesione, për të grabitur miliarda. Është po i njëjti Edi Rama që ankohet pse ka prodhim të madh ullinjsh, mirë që nuk ankohet edhe për Skënderbeun që ka pasur tradita me ullinj. Ne kemi një kryeministër që thotë se duhet të largoheni nga vendi, thotë që do miratojë bastet që t’ua japë njerëzve të tij, qofshin edhe familjarë.

Ndaj ka vetëm një zgjidhje, largimi i tij dhe bandës së tij. Lajmet tregojnë që drejtorët e AKSHI-t janë transportues të drogës, kjo është qeveria e kalbur deri në themel dhe pa shërim e Edi Ramës.”- deklaroi Vasili.