Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria e Beratit shpall moskompetencën për serat me kanabis, përcjell dosjen në SPAK


Prokuroria vendore në Berat ka shpallur moskompetencën dhe e ka përcjellë dosjen e serës së kanabisit në SPAK.

Bëhet fjalë për serat që u zbuluan muajin e kaluar në Berat, ku u arrestuan 11 persona dhe mbahen nën hetim 95 gra.

Të gjithë personat e arrestuar ishin të armatosur me qëllim ruajtjen e serave të kanabisit. Të gjithë të punësuarit në sera, duke nisur nga gratë deri tek organizatorët ishin nga Fushë Kruja dhe nga Lezha. Gratë flinin brenda serave ku kishin vendosur dyshekë me ajër dhe dushe për t’u larë.

Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar për televizionin “News 24” dhe “Balkanweb” se prokurorët kanë dalë në konkluzionin se ka dyshime që aktiviteti zhvillohej nga 2 grupe kriminale.

Në këto sera, forcat e policisë sekuestruan rreth 800 kg kanabis për përpunim.

Sipas BW, çështja do t’i kalojë SPAK-ut për shkak se pas hetimeve 2-mujore u zbulua se kultivimi dhe trafikimi i drogës ishte i organizuar nga 2 grupe kriminale, një në veri dhe një në jug, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme.

Lidhur me zbulimin e këtyre serave, u përjashtuan nga policia dhe u ndëshkuan me ulje në gradë një sërë zyrtarësh të policisë së Beratit.