Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiakja e Lushnjës reagon për vdekjen e 48-vjeçares: Përgënjeshtrojmë mediat për dinamikën e ngjarjes, nuk trajtohej me ndihme ekonomike


Kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa ka reaguar pas ndarjes nga jeta të 48-vjeçares Shpresa Cani, pasi u ndie keq në ambientet e zyrës së saj.

Në faqen e saj zyrtare, Sefa ka shpërndarë një reagim zyrtar ku thuhet se ndryshe nga sa është raportuar në medie, Shpresa Canit nuk i ishte hequr ndihma ekonomike.

Por ajo ka kërkuar që përvecc trajtimit me KEMP që përfitonte, të gjendej mundësia për një ndihmë ekonomike shtesë për të dhe babanë e saj nga ky institucion.

Pas takimit me kryetaren e bashkisë dhe premtimin se do shihej mundësia për përfishrje në listën e Bashkisë për ndihmë ekonomike, 48-vjeçarja është ndier keq.

Bashkia sqaron dinamikën më tej duke thënë se ka lajmëruar ambulancën dhe policinë për ngjarjen.

Në njoftim thuhet se ambulanca mori shtetasen po nuk sqarohet nëse ka ndërruar jetë në ambientet e bashkisë apo ka pasur shenja jete gjatë transportit nga ambulanca.

Njoftimi i plotë:

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares se Bashkisë Eriselda Sefa nisur nga informacioni jo i verifikuar dhe abuziv i shpërndarë në media lidhur me ndarjen nga jeta të shtetases Shpresa Cani, 48 vjeçe, banuese në Çanakaj të Njësisë Fiershegan, dëshiron të sqarojë opinionin publik, duke i shprehur fillimisht ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani.

Sa i përket ngjarjes, sqarojmë se të mërkurën rreth orës 11:00 pranë Zyrës së Informacionit është paraqitur shtetasja Shpresa Cani e cila kërkoi takim me Kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa.

Pak minuta më vonë Kryetarja e Bashkisë priti në zyrë të interesuarën e cila ishte e përfshirë që nga viti 2007 në kategorinë PAK si Invalide e plote nga KMCAP me diagnoze Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagese mujore 11 915 lekë.

Shtetasja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babain dhe kërkoi nga Bashkia që përvec trajtimit me KEMP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babain e saj edhe nga ky institucion.

Pasi dëgjoi shqetësimin e Zonjës Cani, Kryebashkiakja Sefa thërriti Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë bashkisë Lushnje për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës se invaliditetit.

Pati një dakordësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq.

Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, z.Edvin Ndreu.

Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambientet e Bashkisë duke transportuar pacienten drejt Spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e komisariatit Lushnjë.

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares së Bashkisë përgenjeshtron dhe shpreh keqardhje për informacionet abusive të shpërndara në media lidhur me dinamiken e ngjarjes.

Në ambjentet e bashkisë Lushnje dhe aq më pak në zyrën e kryebashkiakes, nuk ka pasur asnjë debat mes Zonjës Cani dhe përfaqësuesve të bashkisë, përkundrazi pati gatishmëri për të dhënë ndihme shtesë për të interesuaren.

Sqarojmë gjithashtu që Zonja Cani është trajtuar me ndihma emergjente sipas programeve të miratuara nga këshilli Bashkiak.

Sjellim në vëmendje të mediave dhe të opinionit publik se e ndjera Shpresa Cani nuk ka qënë e trajtuar me ndihme ekonomike (sikurse publikuan disa media) pasi ajo trajtohej me pension invaliditeti!

Përsa më siper lutemi që mediat të jene serioze dhe të mos abuzojnë me informacionin, aq më teper që përpara publikimit të lajmeve nuk ka pasur asnjë kontakt për të degjuar zyrtarisht reagimin e Bashkisë për këtë ngjarje!