Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Heqja e barrikadave çështje orësh, nëse nuk hiqen do veprojnë institucionet e Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi në emisionin Rubikon se është çështje orësh heqja e barrikadave në veri të vendit.

Presidentja tha se nëse nuk hiqen barrikadat, institucionet e Kosovës do të veprojnë për shkak se sipas saj, sa më shumë që të mbesin barrikadat aty, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve.

Pikërisht për shkak të koordinimeve dhe bashkërendimit me aleatët tanë, jam e bindur se është çështje orësh heqja e barrikadave dhe në qoftë se nuk largohen ato përfundimisht, natyrisht që duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë”, u shpreh Osmani

Osmani tha se barrikadat aktuale nuk kanë qenë asnjëherë barrikada më të rrezikshme, teksa tha se nuk mund të tregojë arsyen e rrezikshmërisë pasi mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, policisë, KFOR-it e EULEX-it.

Janë vlerësime të institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, të cilat janë vlerësime të klasifikuara, të cilat pas një jave apo më shumë edhe do të mund t’i deklasifikojmë. Por, për shkak se mund të rrezikohet jeta e policëve tanë, e ushtarëve të KFOR-it, e personelit të EULEX-it, e civilëve mbi  të gjitha, unë s’mund tani t’i jap ato detaje”-theksoi Presidentja.