Vendosni fjalën kyçe....

Rama ndan pamjet: Drejt përfundimit rruga e re për në portin industrial të Durrësit


Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pasditen e sotme pamjet nga punimet në aksin rrugor që do të lidhë Durrësin me Porto Romanon.

Në një postim në Facebook, Rama shkruan se punimet janë drejt përfundimit në lotin 3, ndërsa rruga ka një gjatësi totale prej 6 kilometrash.

 “Në kantierin e rrugës Porto Romano-Durrës vijon puna, ku aktualisht në lotin 3 kanë përfunduar shtresat asfaltike dhe rruga po bëhet gati për vijëzimin përfundimtar.

Ky investim me gjatësi rreth 6 km është pjesë e aksit të ri rrugor që lidh autostradën Tiranë-Durrës me zonën e Porto Romanos, një projekt i rëndësishëm që do të lehtësojë ndjeshëm trafikun dhe do të jetë në funksion të Parkut Energjitik, Portit Industrial, si dhe zonave të lira ekonomike.”- shkruan Rama.

Sipas qeverisë, zona e Porto Romanos pritet të kthehet në një pikë të rëndësishme industriale pas ndërtimit të Portit të ri të mallrave dhe Parkut Energjitik.