Vendosni fjalën kyçe....

Lirohet nga detyra kreu i SHISH-it, Helidon Bendo


Shkarkohet nga detyra kreu i SHISH-it, Helidon Bendo. Shkarkimi i drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar u firmos nga presidenti Bajram Begaj.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, ‘Për Shërbimin Informativ Kombëtar’, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit,

DEKRETOJ:

Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar.”- thuhet në dekretin e presidentit.

Bendo është emëruar në detyrën e Drejtorit të SHISH me dekretin e Presidentit në datë 05 nëntor 2018. Ai është një inspektor karriere, pasi iu bashkua shërbimit inteligjent në vitin 1995.

Largimin e Bendos nga detyra e kreut të SHISH-it, e kishte paralajmëruar që javën e kaluar kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Ai tha në një deklaratë për mediat më 16 dhjetor se në dhunim flagrant të kushtetutës së vendit, “në një akt mafioz të pashembullt shefit të SHISH të emëruar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, të dërguar për shkollim në SHBA pas kthimit nga shkollimi në kundërshtim me ligjin i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën”.

Por kryeministri Edi Rama thotë se Bendo ka dhënë vetë dorëheqjen.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se bëhet fjalë për një lirim nga detyra dhe jo shkarkim, për shkak se Bendo po vijon studimet.

“Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.”– shkruan Rama.