Vendosni fjalën kyçe....

Shembja e Pallatit tek “Myslym Keta”/ Veliaj thirrje banorëve: Mos dëgjoni partiçkat


Forca të shumta policie dhe fadromat e IKMT do të shembin këtë të hënë një bllok pallatesh në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se pallati është një nga ndërtesat që janë shpallur të pabanueshme për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës, kurse banorët janë përfitues të apartamenteve të reja te lagja “5 Maji”.

Por banorët dhe opozita nuk besojnë se pallati është dëmtuar nga tërmeti dhe kanë ngritur akuza ndaj Bashkisë së Tiranës se ndërtesa po shembet në kundërshtim me ligjin.

Në një intervistë për “Top News”, Veliaj ka një thirrje për banorët e këtij pallati. Ai u thotë të mos u besojnë “partiçkave”, që sipas tij shkojnë e vijnë.

“Thirrja për ata qytetarë të fundit, duke qenë se 90% e qytetarëve merr bonusin e qirasë, kanë filluar edhe apartamentet: ju lutem, paraqituni te njësia administrative.

Është qyteti juaj, është bashkia juaj, është shteti juaj. Grupseksionet shkojnë dhe vijnë, partiçkat shkojnë dhe vijnë. Por ju garantoj një gjë atyre qytetarëve: Një parti e ndarë në dy pjesë, që dogji shtëpinë e saj, nuk do rregullojë shtëpitë tuaja. Mund ta rregullojë vetëm një shtet, një qeveri dhe një bashki që tashmë e ka bërë këtë për qindra banorë dhe sigurisht do ta bëjë edhe për atë pjesë, pavarësisht faktit që u përdorën politikisht.”– ishte apeli i Veliajt.

Kryebashkiaku u shpreh se pallati ka dalë jashtë funksionit që në vitin 2019. U rivlerësua në vitin 2020-2021 sërish nga Instituti i Ndërtimit, i cili ka dhënë të njëjtin rezultat.

Sipas Veliajt, politika po i dëmton banorët duke i joshur me protesta, pasi ata që kanë firmosur janë strehuar tashmë në apartamentet e reja te “5 Maji”.

“Ju kujtoj që, te zona e ‘5 Majit’ pjesa më e madhe e banorëve përfitues janë të këtij pallati në rr. “Myslym Keta”. Disa prej tyre pata mundësinë t’i vizitoj personalisht, janë akomoduar në shtëpitë e reja prej një viti. I besuan shtetit, qeverisë, i besuan bashkisë. Nuk u morën me politikë, nuk e politizuan çështjen, por menjëherë lidhën kontratën. Fillimisht për bonusin e qirasë dhe sapo apartamentet u bënë gati, u futën në shtëpitë e reja dhe sot po i gëzojnë. Viti i Ri do i gjejë në shtëpi më komode se ato që lanë. Unë besoj se kur iu besojmë autoriteteve, kur bashkëpunojmë që të kalojmë këto situata të vështira, ecim përpara. Nëse politizohet vaksina, nëse politizohet rindërtimi dhe nëse politizohet çdo gjë dhe për ideal të partisë njerëzit harrojnë idealin e familjes, ka shumë pak gjëra që mund të bëjë bashkia, përveçse të insistojë t’i ftojë dhe t’i riftojë.”- tha Veliaj.